SHOQËRI

Artikull

Parku “Kopshti i Borisit” – një vend i preferuar për pushimin e banorëve të Sofjes

Dielë, 6 Gusht 2023, 10:15

Parku “Kopshti i Borisit” – një vend i preferuar për pushimin e banorëve të Sofjes

FOTO: Miglena Ivanova

Madhësia e shkronjave

Një nga perlat e kryeqytetit bullgar janë parqet e tij, të cilat u ofrojnë banorëve të Sofjes dhe mysafirëve të saj kushte të mrekullueshme për relaksim, sport dhe për të shpëtuar nga përditshmëria e tensionuar. Ndër më të vizituarit prej tyre janë Parku Jugor, ata Perëndimor dhe Verior. Dhe, doemos edhe parku më i madh në kryeqytet - “Kopshti i Borisit”, i shtrirë në një sipërfaqe prej mbi 3300 dynymësh. Në pjesën e tij më të fisnikëruar, jeta vlon si në ditët e javës ashtu edhe në ditët e festave, si gjatë ditës ashtu edhe në orët e vona të natës. Gjatë ditës, këtu do të shihni shumë nëna me fëmijë, sportistë që preferojnë ajrin e pastër sesa salla të mbytura, vrapues të vetëm, pensionistë të ulur në diell për të lexuar gazetën e mëngjesit.

FOTO: Миглена Иванова

Në mbrëmje, parku mbushet me grupe të rinjsh, dhe ndonjëherë me tifozë futbolli të moshave të ndryshme - këtu, më pak se 100 metra nga njëri-tjetri, ndodhen Stadiumi Kombëtar “Vasill Levski” dhe stadiumi i Klubit CSKA – “Ushtria Bullgare”. Këto nuk janë objektet e vetme sportive - ka fusha tenisi, një park me litar, etj. Në Kopshtin e Borisit është edhe një nga më të njohurat sheshe lojërash në mesin e fëmijëve të Sofjes, organizohen shumë ngjarje sportive dhe kulturore. Parku ka edhe një pjesë më të egër ku do të ndiheni sikur jeni në një pyll të vërtetë!

FOTO: Миглена Иванова

Oaza natyrore në qendër të Sofjes u krijua në vitin 1882, si fidanishte, në atë kohë në periferi të qytetit. Më vonë, në vitin 1895, u emërua “Kopshti i Princit Boris” për nder të djalit njëvjeçar të Princit Ferdinand - Boris. Kopshtari i parë i parkut ishte zvicerani Daniell Neff. Ai është njeriu që bëri planin e parë të kopshtit dhe mbolli 10 000 pemët e para në të. Fidanishtja ndodhej në vendin e liqenit të sotëm “Ariana”. Disa nga pemët shekullore mund të shihen edhe sot në park. Është kureshtare që në vitin 1892, në zonën e parkut, filloi ndërtimi i Observatorit Astronomik të Universitetit të Sofjes, i cili përfundoi dy vjet më vonë. Kështu, vetëm 6 vjet pas Çlirimit të saj(1878), Bullgaria fitoi një nga observatorët e parë në Ballkan, i cili aktualisht është duke u riparuar dhe u restauruar.

FOTO: Миглена Иванова

Ndërkohë, kopshti vazhdon të zhvillohet dhe të zgjerohet. Në vendin e një ish-kënete, Neff formoi një liqen të quajtur “Peshku”, i riemërtuar më vonë “Liqeni i Zambakëve”. Lulet delikate të ujit që mbulojnë pasqyrën e liqenit do të mbushin shpirtin tuaj me romancë dhe pasion të epokave të shkuara, dhe mes gjetheve të gjelbra të dyllta mund të shihni edhe breshka.

Езерото с лилиите

FOTO: Миглена Иванова

Dikur, më shumë se një shekull më parë, ky park ishte një vend i preferuar dhe një burim frymëzimi për poetin tonë të madh Pejo Javorov. Shkrimtari i memoareve Mihaill Kremen kujton shëtitjet e poetit në mesnatë nëpër Kopshtin e Borisit në librin “Romani i Javorovit”. “Javorov më kishte çuar më shumë se një herë - gjoja te “peshqit”, por gjithmonë deri në fund të kopshtit... ku shëtitnim me orë të tëra, duke u sorollatur nëpër shtigjet e errëta midis pemëve të dendura. Kisha frikë, sidomos në mot të  vranët, por ai më qetësonte se kishte një revole”, na rikthen Kremen në atmosferën e fillimit të shekullit të XX-të.
Në vitin 1906, dizajni i “Kopshtit të Borisit” iu besua alsasit Josif Fraj. Me idenë e tij, u krijua një Trëndafilishtë, në të cilën organizoheshin ekspozita lulesh çdo vit. Sot, Trëndafilishta ndodhet pranë stadiumit “Vasil Levski”. Është një vend i qetë dhe i këndshëm ku shpesh do të shihni njerëz të ulur me një libër në dorë mes trëndafilave aromatik.

Розариум

FOTO: Миглена Иванова

Përgjatë rrugicave qendrore të kopshtit aty-këtu shihen monumentet e krijuesve apo luftëtarëve bullgarë për pavarësi kombëtare, duke kujtuar majat kulturore dhe momentet e lavdishme të historisë bullgare.

FOTO: Миглена Иванова

Një vend tjetër që ia vlen të ndaleni është i ashtuquajturi Liqen i Shpendëve Ujorë. Këtu duhet të shihni rosën e egër (mallard) e cila është më e zakonshme në Bullgari. Por rosat janë krijesa kokëforte. Edhe nëse nuk i shihni, vendi do t’ju tërheqë me magjinë e tij.

Езеро с водоплаващи птици

FOTO: Миглена Иванова

Më tej brenda parkut ngrihet një obelisk 41 metrash, i mbetur nga koha e socializmit (1956) – “Tuma e Vëllazërisë”, një monument për antifashistët e rënë. Sot është një vend më i izoluar ku të rinjtë pëlqejnë të mblidhen për këtë arsye.

FOTO: Миглена Иванова

Me rrugicat e saj të freskëta verore, sipërfaqet e gjelbra, lulet dhe vendet e shumta për argëtim dhe sport, Kopshti i Borisit është e famshme si një nga vendet më tërheqëse për relaksim dhe pushim aktiv në kryeqytet.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Miglena Ivanova