Që nga fillimi i fushatës bamirëse “Kapakë për të ardhmen”, spitalet në vend kanë marrë 22 inkubatorë, 4 ambulanca për fëmijë dhe më shumë se 40 pajisje mjekësore të nevojshme për të shpëtuar të porsalindurit. Pak më shumë se një vit më parë, iniciativa arriti të mbledhë fonde për një ambulancë off-road, e cila tashmë po ndihmon viktimat në zonat e vështira për t'u arritur në rajonin e Plovdivit. Lajmi i mirë është se së shpejti do të fillojë përdorimi i akoma një automjeti për rajonet më të vështira për t’u arritur edhe në Sofje dhe në rajon.
FOTO: Facebook /kapachkizabudeshte
Dhe e gjithë kjo nuk është e gjitha, siç shkruajnë Llazar Radkov dhe ekipi i tij në faqen e tyre në rrjetin social.
Do të organizohen të ashtuquajturat “Klubet e shpëtimit për të ardhmen”, një prej të cilëve tashmë po funksionon në kryeqytet. Në to, kushdo që dëshiron është i mirëpritur të mësojë se si të veprojë në rast të përmbytjeve, zjarreve, tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera natyrore kërcënuese për jetën ose të faktorëve antropogjenë. Në shtator do të hapet një tjetër vend i ngjashëm, dhe Kjustendili, Stara Zagora, Varna, Plovdivi dhe Haskovo kanë shprehur dëshirën për të krijuar më shumë vende të tilla. Krijimi i klubeve të shpëtimit nuk do të thotë që fushatat për të mbledhur dhe ricikluar kapakët e plastikës dhe aluminit kanë përfunduar, por përkundrazi, po vazhdojnë.