MUZIKË

Artikull

Kris Gran prezanton albumin e tij debutues

Mërkurë, 18 Tetor 2023, 07:15

Kris Gran prezanton albumin e tij debutues

FOTO: Rumina Georgieva

Madhësia e shkronjave

Një nga zërat e rinj më lirik të muzikës pop vendase, Kris Gran, është gati me albumin e tij të shumëpritur debutues. Emri i tij “Dy Zemra” bashkon këngët e interpretuesit kushtuara dashurisë. 
Pas pseudonimit Kris Gran qëndron Kristian Grënçarov. Ai lindi në qytetin bregdetar Burgas. Që në moshën 6-vjeçare luante piano dhe në moshën 9-vjeçare i ati filloi t’i mësonte kitarën. Këngëtari i ri fitoi zemrat e të gjithë dashamirëve të muzikës me pjesëmarrjen e tij në formatin televiziv “Zëri i Bullgarisë” në vitin 2017 në ekipin e këngëtarit në zë Grafa. Pas kësaj ai u diplomua në specialitetet “Këndim pop dhe xhaz” dhe “Pedagogjikë e mësimit muzikor” në Akademinë e Muzikës në Sofje.
Tre vjet më parë, Kris Gran filloi të punojë për albumin e tij debutues “Dy Zemra”, i cili tashmë është një fakt. Ai përmban 9 këngë në të cilat stili pop është i përzier me hip-hop, reggaeton, disko dhe një tingëllim akoma më të fortë.
“Këngët tregojnë histori të ndryshme. Disa prej tyre janë fryt i fantazisë sime ndërsa të tjerë rikrijojnë ngjarje të vërteta nga jeta ime”, thotë Kris Gran, i cili është autor i muzikës dhe i teksteve të të gjitha këngëve të tij. Për aranzhimet interpretuesi i ri bashkëpunoi me kitaristin Hristo Nejçev dhe kitaristin Emilio Marholev, me të cilët del në skenë edhe për koncertet e tij.
“Dy zemra” u realizua me mbështetjen financiare të Bashkisë së qytetit Burgas, kurse koncerti, me të cilin Kris do të prezantojë albumin e tij debutues, është me mbështetjen financiare të Fondit Kombëtar “Kultura”.
Redaktore: Diljana TraçevaPërgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Magdalena Mihranova, Ivan Bëçvarov, Rumina Georgieva