POLITIKË

Artikull

Ngjarjet me adresë ballkanike

Premte, 14 Qershor 2024, 14:35

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: dnevnik.si

Madhësia e shkronjave

Me zgjedhjet për PE në Slloveni, votuan edhe për votim preferencial, eutanazi dhe kanabis për qëllime mjekësore.
Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Slloveni më 9 qershor, pjesëmarrja tejkaloi 41%  dhe ishte më e larta që nga viti 2004. Katër referendume konsultative për vdekjen e asistuar, votën preferenciale në zgjedhjet e përgjithshme, kanabisin mjekësor dhe kanabisin për përdorim personal ka të ngjarë t'u jepnin votuesve një shtysë shtesë për të shkuar në votime. Rreth 70% e votuesve mbështetën vendosjen e votimit preferencial në zgjedhjet parlamentare, 67% mbështetën kanabisin për qëllime mjekësore, rreth 51% - kanabisin për përdorim të kufizuar personal dhe pak më pak se 55% mbështetën të drejtën për të ndihmuar në ndërprerjen vullnetare të jetës, njofton Agjencia Telegrafike Sllovene.
Në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, partia opozitare e veteranit politik dhe ish-kryeministër Janez Jansha (Bashkimi Demokratik Slloven) regjistroi një fitore bindëse me 30.8% dhe 4 nga 9 mandate. Lëvizja për Liri e kryeministrit Robert Gollob mban 2 mandate parlamentare me 22%, partitë "Vesna", socialistët dhe "Sllovenia e Re" morën nga një mandat.
Një grek etnik nga Shqipëria, që ndodhet në burg, u bë eurodeputet

Фреди Белери

FOTO: Facebook/Fredi Beleri

Fredi Beleri, një grek etnik nga Shqipëria, i zgjedhur kryetar i bashkisë shqiptare të Himarës, u bë nga burgu deputet në Parlamentin Evropian. Fushata zgjedhore u drejtua nga djali i tij Petros. “Kathimerini” njofton se ka mbledhur afro 240 mijë vota si kandidat i partisë konservatore “Demokracia e Re”, anëtar i së cilës është edhe kryeministri grek Kiriakos Micotakis. Me më shumë vota (mbi 307 000) është Jorgos Aftias, një gazetar dhe drejtues i njohur televiziv.
Me akuzën e blerjes së votave Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023 në Shqipëri, në të cilat u zgjodh kryetar bashki. Në mars të këtij viti ai u dënua me dy vite burg dhe po vuan dënimin. Nga pala greke vunë në pikëpyetje drejtësinë e procesit ndaj tij dhe e bënë të qartë se kjo mund të rrezikojë integrimin evropian të Shqipërisë.
Turqia planifikon të bëhet një qendër botërore energjetike

Алпарслан Байрактар и ръководителя на „Газпром“ Алексей Милер в Санкт Петербург

FOTO: enerji.gov.tr

Pas bisedimeve në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut me ministrin rus të burimeve natyrore dhe ekologjisë Aleksandër Kozllov, ministri turk i energjetikës Allparsllan Bajraktar njoftoi se Turqia dhe Rusia planifikojnë të krijojnë një burse energjie dhe minierash në Stamboll. Fjalët e tij u konfirmuan nga presidenti turk Rexhep Erdogan, i cili tha se negociatat për këtë temë me përfaqësuesit rusë janë duke u zhvilluar. “Ne do të realizojmë projekte të ndryshme për furnizimin e produkteve energjetike në Evropë dhe botë përmes vendit tonë. Me qendrën e gazit që do të krijohet në Turqi, do të bëhet përparim si në transmetimin e energjisë ashtu edhe në çmimet", tha Erdogan, duke shprehur besimin se falë investimeve të viteve të fundit, Turqia do të bëhet një "bazë energjetike" për gazin natyror. "Ne po i afrohemi qëllimit tonë për ta kthyer Turqinë fillimisht në një qendër rajonale dhe më pas globale të energjetikës”, tha presidenti turk, cituar nga TRT.
Shqipëria prezantoi mjetin e saj të parë të blinduar “Shota”

FOTO: noa.al

Shqipëria prezantoi automjetin e saj të parë të blinduar, njoftoi Radio Televizioni Shqiptar, cituar nga BTA. Kryeministri shqiptar Edi Rama postoi në rrjetet sociale pamjet e mjetit ushtarak të quajtur “Shota”. Ky është produkti i parë i markës “Made in Albania”. Prodhuesi i automjetit “Shota” është kompania TIMAK e Arjeta Puca dhe ekipit të saj, 75% e anëtarëve të të cilit janë femra. “Shota” tregon se Shqipëria ka aftësinë të patentojë produktin e saj, gjë që vjen në një kohë kur qeveria shqiptare kërkon të ringjallë industrinë ushtarake, thekson media. Në fillim të prillit të këtij viti, Rama deklaroi se ambiciet e vendit janë që deri në vitin 2030 të ketë eksporte ushtarake “Made in Albania”, si dhe të pajis ushtrinë shqiptare me armë të prodhimit të vet.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: dnevnik.si, Facebook/Fredi Beleri, enerji.gov.tr, noa.al

Publikoi / Publikuan: БНР екип