Tetë tradita autentike bullgare dhe aftësi të përcjella brez pas brezi nga pjesë të ndryshme të vendit u bënë pjesë e Listës Përfaqësuese Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe kështu u bënë pjesë e "Thesareve të gjalla njerëzore" të Bullgarisë. "Këtë vit, nisma ishte një sukses i madh. Ne morëm 22 aplikime dhe të gjitha ishin shumë interesante," – tha për Radio Bullgarinë Sillva Haçerjan - Drejtore e Drejtorisë për "Bashkëpunim Ndërkombëtar, Programe Evropiane dhe Aktivitete Rajonale" pranë Ministrinë e Kulturës, e cila është mes nismëtarëve të fushatës për mbledhjen e nominimeve. Ajo zhvillohet çdo dy vjet dhe është pjesë e programit pilot të UNESCO-s "Thesare të gjalla njerëzore". Ideja është të dokumentojmë një element të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale dhe mbi të gjitha të inkurajojmë bartësit e saj. Këta janë njerëzit që mbajnë gjallë traditat dhe aftësitë popullore të kërcënuara nga zhdukja.
Këto janë thesaret e reja të gjalla njerëzore të Bullgarisë:
Dasëm tradicionale nga fshati Ribnovo dhe nusja e shkruar – ose siç e quajnë ndryshe gelina
Valle autentike nga fshati Vrëv, rajoni i Vidinit
Mjeshtri i ri Bojan Minçev – sheqerxhi (pastiçier) i gjeneratës së tretë
Përgatitja e zellnikut (byrek) tradicional të Kjustendillit
“Dita e Dervishëve” e prezantuar nga Grupi Dervish në fshatin Cerovo të Pazarxhikut. Festa mbahet në Sirni Zagovezni (E Diela e të Lidhurit të Djathit). Gatimi i hallvës së bardhë për Sirni Zagovezni
Përgatitja e marmelatës së shalqinit sipas teknologjisë tradicionale në fshatin Smilec, Silistra.
Lyerja e vezëve të Etropolesë me një teknikë të vjetër dylli – prezantuar nga Muzeu Historik në Etropole.
"Thesaret e gjalla njerëzore" të reja do të publikohet në faqen e Ministrisë së Kulturës, ku mund të shihen edhe të gjitha aplikimet nga çdo rajon i vendit. Dhe të gjithë mund t'i kontaktojnë këta njerëz, të shkojnë dhe të shohin se çfarë bëjnë aty në vend, sepse kjo është jashtëzakonisht interesante dhe ka një element edukativ. Ato kanë një potencial të paçmuar për turizmin vendas, për bullgarët dhe të huajt që janë të interesuar për këto gjëra”, shpjegon Sillva Haçerjan.
Силва Хачерян
FOTO: mc.government.bg
Të veçuarit morën personalisht një certifikatë për kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kulturor kombëtar nga zëvendësministri i Kulturës Kalin Veljov, si dhe një garanci se do të mbështeten nga shteti që të vazhdojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe t'ua përcjellin brezave të tjerë, mësojmë nga Sillva Haçerjan.
"Ideja është që këta njerëz në komunitetin e tyre, ose grupet dhe individët bartës, siç përdorim ne terminologjinë e konventës së UNESCO-s, t'i ruajnë çdo ditë këto elemente, njohuritë dhe aftësitë e tyre tradicionale. Ata e bëjnë këtë duke rekrutuar vazhdimisht të rinj, që të vazhdojnë të mësojnë prej tyre. Ky është kuptimi i kësaj nisme. Nga ana e Ministrisë së Kulturës, ne i mbështesim këta bartës të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale me programe të ndryshme për të cilat mund të aplikojnë, të përgatisin projekte për të marrë atë që u nevojitet dhe ta çojnë këtë traditë përpara”, përfundoi Sillva Haçerjan.
FOTO: Министерство на културата
Më 17 dhjetor nën kupolën e Largos në Sofje do të hapet ekspozita “Thesare të gjalla njerëzore-Bullgari”, e cila do të prezantojë 44 elemente të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të regjistruara në periudhën 2008-2024. , duke përfshirë shtesat më të reja të këtij viti.
Foto: Ministria e Kulturës, Veneta Nikollova, BTA, Muzeu Historik - Etropole, Atanaska Ivanova, Biblioteka "Iskra 1898" - Borovo
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello