MUZIKË

Artikull

Orkestra Filarmonike e Sofjes do të performojë për herë të tretë në Sallën e Artë të Musikverein - Vjenë

Shtunë, 15 Mars 2025, 05:30

Orkestra Filarmonike e Sofjes do të performojë për herë të tretë në Sallën e Artë të Musikverein - Vjenë

FOTO: sofiaphilharmonic.com

Madhësia e shkronjave

Më 17 mars, Orkestra Kombëtare Filarmonike dhe kryedirigjenti i saj do të jenë sërish të ftuar në sallën legjendare të Artë të Shoqatës së Muzikës së Vjenës - Wiener Musikverein. Nën dirigjimin e Najden Todorovit do të tingëllojë Koncerti për Trumbetë dhe Orkestër i Nino Rotës me solistin Sergio Manteiga. Manteiga është një trumbetist i ri premtues, aktualisht anëtar i Orkestrës Kombëtare Baske. Soliste në Koncertin për violinë dhe orkestër nr. 2 në sol minor nga Sergei Prokofiev do të jetë virtuozja amerikane Fabiola Kim – një artiste e suksesshme koncertesh, muzikante dhome dhe pedagoge. Kim ka punuar me disa nga grupet më të njohura në botë. Albumi i saj "1939", i regjistruar me Orkestrën Simfonike të Mynihut, mori vlerësime të larta nga BBC Music Magazine, Gramophone dhe The Strad Magazine. Programi do të mbyllet me Simfoninë e njohur nr. 4 në La maxhor nga Felix Mendelssohn - "Italiane", e duartrokitur me entuziazëm viteve të fundit nga publiku në performancën e Orkestrës Filarmonike të Sofjes dhe Naiden Todorov.
Një ditë më parë - më 16 mars, i njëjti program do të prezantohet në Konzerthaus Klagenfurt - një nga qendrat kulturore më të rëndësishme në Austri. E njohur për akustikën e saj të jashtëzakonshme dhe arkitekturën elegante, salla është një vend për koncerte, shfaqje opere dhe baleti dhe ngjarje të tjera kulturore.

FOTO: sofiaphilharmonic.com

Përpiloi: Cvetana Tonçeva, Elena Karkallanova
Foto:Orkestra Filarmonike e Sofjes
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello