Një koncert në Maqedoninë e Veriut u shndërrua në një tragjedi të përgjakshme
Maqedonia e Veriut u zhyt në pikëllim. Një koncert i grupit të njohur hip-hop DNA, që synonte të ishte një festë në jetën e qytetit të vogël të Koçanit, u kthye në një tragjedi të vërtetë. Një zjarr i shkaktuar nga shkëndija nga mjetet piroteknike në diskotekën “Puls” gjatë koncertit natën e 15 duke u gdhirë 16 mars, vrau 59 persona, kryesisht të rinj dhe plagosi mbi 150. Rezultoi se patenta e diskotekës ishte marrë në mënyrë të paligjshme. Objekti kishte vetëm një dalje emergjente, e cila ishte e kyçur gjatë koncertit. Pas incidentit të rëndë, një sërë vendesh zgjatën dorën e ndihmës dhe pranuan të lënduarit në spitalet e tyre – mes tyre Bullgaria, Serbia, Turqia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia etj. Qindra maqedonas protestuan duke kërkuar drejtësi dhe ndëshkim për përgjegjësit.
Më 20 mars mijëra njerëz u dyndën në varrimin e të vdekurve në Koçani. Pesë prej muzikantëve u varrosën në Shkup. Vokalisti Andrej Xhorxhiski vdiq heroikisht, duke u kthyer në diskotekën e djegur për të shpëtuar fansat. Vokalistja mbështetëse Sara Projkovska la dy fëmijë jetimë. Njerëzit nderuan edhe kujtimin e shoferit të ambulancës Ile Gocevski, i cili vdiq nga një atak në zemër pas një turni 32 orësh, gjatë të cilit pa pushim i transportonte viktimat në spitale. Ai merr një çmim pas vdekjes për heroizmin e tij.
Në Turqi arrestuan kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamogllu
Екрем Имамоглу
FOTO: aa.com.tr
Në Turqi u lëshuan urdhër-arreste për mbi 100 persona, duke përfshirë kryetarin e bashkisë së Stambollit Ekrem Imamogllu. Aksioni filloi një ditë pasi Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamogllut, njoftoi BTA. Shtëpia e kryetarit të bashkisë u kontrollua dhe ai vetë u arrestua me akuza për korrupsion, mbështetje të PKK (Partisë së Punëtorëve Kurdë) dhe udhëheqje të një organizate kriminale, njoftoi gazeta “Hürriyet”. Operacioni u krye vetëm pak ditë para zgjedhjeve të brendshme të Partisë Republikane Popullore për të përcaktuar kandidatin e saj presidencial. Imamogllu, i cili është pjesë e kësaj partie, konsiderohej si kandidati më i mundshëm dhe kundërshtari kryesor i Erdoganit. Zgjedhjet e rregullta presidenciale në Turqi do të mbahen në maj të vitit 2028. Muajt e fundit, Partia Republikane Popullore dhe parti të tjera opozitare kërkuan zgjedhje të parakohshme presidenciale, duke përmendur paaftësinë e qeverisë aktuale për t'u marrë me problemet ekonomike të vendit dhe inflacionin e lartë. Në Stamboll dhe Ankara, dhjetëra mijëra protestuan kundër arrestimit të kryebashkiakut, pavarësisht ndalimit të autoriteteve.
11 kandidatë shkojnë në zgjedhjet e përsëritura presidenciale në Rumani
FOTO: romania-insider.com
11 kandidatë do të konkurrojnë për postin e presidentit në Rumani në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, njofton agjencia Agerpres. Katër janë të pavarur dhe 7 u nominuan nga partitë. Fillimisht ishin 26 kandidatë, por disa prej tyre, përfshirë edhe fituesin e zgjedhjeve të anuluara të vitit 2024 Kalin Xhorxhesku, u refuzuan nga Byroja Qendrore Zgjedhore dhe Gjykata Kushtetuese. Sipas sondazheve, shanset më të mira kanë kryebashkiaku i Bukureshtit, Nikushor Dan (i pavarur), ish-udhëheqësi liberal dhe ish-kryetar i Senatit, Krin Antonesku (kandidat i koalicionit qeverisës pro-evropian "Rumani, përpara!"), ish-kryeministri Viktor Ponta (i pavarur), Elena Laskoni (e qendrës së djathtë Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë) dhe Xhorxhe Simion (Aleanca Nacionaliste për Bashkimin e Rumunëve).
Pas raundit të parë të zgjedhjeve më 24 nëntor 2024 kandidati i ekstremit të djathtë që mori më shumë vota, Kalin Xhoxhesku, i akuzuar për pozicione pro-ruse, duhej të përballej në raundin e dytë me Elena Laskonin. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese i anuloi rezultatet për shkak të dyshimeve për ndërhyrje nga Rusia.
Fushata zgjedhore nis zyrtarisht më 4 prill, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 4 maj. Nëse asnjë nga kandidatët nuk fiton shumicën absolute, raundi i dytë do të mbahet më 18 maj.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia bëjnë aleancë ushtarake
Пиро Венгу, Иван Анушич и Еюп Мачедонци
FOTO: КосоваПрес
Në Tiranë Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë trepalëshe për bashkëpunimin në mbrojtje, njoftoi BTA. Dokumenti u nënshkrua nga ministri shqiptar i mbrojtjes, Pirro Vengu dhe kolegët e tij nga Kroacia dhe Kosova, Ivan Anushiq dhe Ejup Maqedonci. Sipas synimeve të deklaruara, qëllimi është forcimi i aftësive mbrojtëse të tri vendeve, rritja e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përmirësimi i ndërveprimit ushtarak përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe forcimi i ndërveprimit ushtarak në rajon.
Dokumenti shkaktoi një reagim të ashpër në Serbi. “Është veçanërisht shqetësuese që kjo aleancë ushtarake po formohet pa konsultime me Beogradin, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të një strukture që nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe që paraqet kërcënim për sigurinë e popullit serb dhe të gjithë rajonit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: EPA/ BGNES, BTA, aa.com.tr, romania-insider.com, kosovapress.com