Ekspozita udhëtuese “90 vjet BNR – radioja e brezave të bullgarëve” mund të shihet tashmë edhe në Burgas. Arsyeja është gjithashtu edhe ditëlindja e BNR-Burgas – në fund të majit mbushen 13 vjet nga krijimi i medias rajonale. Ekspozita, e vendosur në sheshin “Trojkata” në qytetin bregdetar, përfshin dokumente fotografike dhe arkivore nga fondet e Agjencisë Shtetërore “Arkiva” dhe Agjencisë Telegrafike Bullgare. Ekspozita jep një përfytyrim për hapat e parë të radios në Bullgari. Në fakt, përmes radios kalon e gjithë jeta shoqërore dhe kulturore e vendit dhe emocionet e disa brezave bullgarësh – thonë organizatorët nga arkivi shtetëror.
Një fotografi nga transmetuesi i parë radiofonik, i montuar në vitin 1927 në aeroportin e Burgasit, është gjithashtu pjesë e ekspozitës. Ajo ruhet në Arkivin Shtetëror të Burgasit, i cili gjithashtu ofron edhe ekspozita që lidhen me përvjetorin e radios.
Pjesë e festës është edhe Dita e dyerve të hapura në BNR-Burgas. Ajo do të mbahet më 30 maj (e premte) nga ora 10:00 deri në 16:00 në godinën emblematike në rrugën “Filip Kutev” nr. 2, ku ndodhet stacioni rajonal radiofonik BNR-Burgas. Informacion nga BNR-Burgas.
Redaktoi: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Arkivi i BNR