MUZIKË

Artikull

Muzikë që bashkon:

Koncerti i parë i Filharmonisë së Kosovës në Bullgari

Hënë, 19 Maj 2025, 19:20

Facebook/ Ambasada e Kosovës në Sofje

Facebook/ Ambasada e Kosovës në Sofje

Madhësia e shkronjave

Nën tingujt e paharrueshëm dhe interpretimet magjepsëse të veprave nga Beqiri, Alickaj, Verdi, Puccini dhe de Falla, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës realizoi koncertin e saj të parë në Sofje, nën drejtimin e dirigjentit të njohur Dario Salvi. Koncerti ishte paraparë të drejtohej nga mjeshtri bullgar Najden Todorov, por ai për shkaqe shëndetësore u detyrua të tërhiqej nga programi. 
Orkestra i dhuroi publikut një atmosferë brilante e cila u pasurua më tej me paraqitjen e sopranos së njohur Besa Llugiqi, e cila u shoqërua nga saksofonisti virtuoz Vitaly Vatulya.
Pas këtij koncerti mbresëlënës, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Sofje, z. Haxhi Bajraktari, shprehu urimet e tij të përzemërta për artistët pjesëmarrës dhe vlerësoi kontributin e rëndësishëm të drejtuesve të dy Filharmonive, Dardan Selimaj dhe Najden Todorov. Ai theksoi se më anë të bashkëpunimit të tyre u bë e mundur që 25-vjetori i themelimit të Filharmonisë së Kosovës të kremtohej pikërisht në Bullgari – një vend mik, ku marrëdhëniet kulturore po forcojnë gjithnjë e më shumë lidhjet midis dy shteteve.
Ky koncert u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga Ambasada e Kosovës në Sofje, në bashkëpunim me Filharmoninë e Sofjes. Të pranishëm ishin diplomatë, personalitete të njohura, anëtarë të diasporës dhe publiku bullgar i apasionuar pas muzikës klasike.
Përpiloi dhe publikoi: Kostandina BelloFoto: Facebook/ Ambasada e Kosovës në Sofje