MUZIKË

Artikull

Për të 56-ën herë, Javët e Muzikës në Sofje i joshin dashamirësit e muzikës me ngjarje emocionuese

Mërkurë, 21 Maj 2025, 17:00

Për të 56-ën herë, Javët e Muzikës në Sofje i joshin dashamirësit e muzikës me ngjarje emocionuese

FOTO: sofiaweeks.com

Madhësia e shkronjave

Javët Muzikore të Sofjes janë një nga forumet kulturore më jetëgjata dhe të afirmuara në Bullgari. Pavarësisht vështirësive të shumta në historinë e tij mbi 50-vjeçare, festivali vazhdon të gëzojë interesin e mijëra dashamirësve të muzikës klasike nga e gjithë bota. Edicioni i parë filloi në vitin 1970, pikërisht më 24 maj – Dita e alfabetit bullgar, arsimit dhe kulturës, dhe në dekadat në vijim, Javët afirmohen si ngjarja muzikore ndërkombëtare më e rëndësishme për Sofjen dhe vendin, e cila edhe sot e kësaj dite mbron qëllimin kryesor – të paraqesë krijimtarinë muzikore dhe artin interpretues botëror dhe bullgar me rëndësi në nivelin më të lartë.
Përveç koncerteve, shfaqjeve operistike dhe baletit, në programin e festivalit përfshihen edhe konferenca shkencore në fushën e teorisë muzikore, prezantohen botime të reja, ekspozita fotografike, zhvillohen klasa mjeshtërore për instrumentistë dhe këngëtarë të rinj. Shënohen përvjetorë të kompozitorëve të mëdhenj, realizohen premiera bullgare dhe botërore të veprave të rëndësishme. 
Më shumë se 90 ngjarje ofron edicioni i ardhshëm i 56-të i Javëve Muzikore të Sofjes, i cili këtë vit do të zhvillohet nën moton "E prodhuar në Bullgari". Ndër përvjetorët e rëndësishëm që do të pasqyrohen janë ata të orkestrës së parë bullgare me pasardhës Simfonieta Shumen, të kompozitorëve Dobri Hristov, Georgi Zllatev-Çerkin, Aleksandër Kandov, Rusi Tërmëkov, Allbena Vraçanska, Borisllava Taneva, të dirigjentit Bonço Boçev dhe të violonçelistit Stefan Popov. 

Борислава Танева

FOTO: sofiaphilharmonic.com

Festivali kremton njëqindvjetorin e teatrit të parë operistik jashtë kryeqytetit në Bullgari – Opera Shtetërore - Stara Zagora, si dhe jubileun pesëdhjetëvjeçar të orkestrës kamertale "Orfeu" – Pernik. Vëmendje e veçantë është përqendruar mbi krijuesin e shquar bullgar Georgi Arnaudov, gratë kompozitore, violinistin Rumen Cvetkov, ansamblet korale, instrumentin harpë dhe shtetin e Brazilit, si dhe mbi krijimtarinë e Maurice Ravel dhe Lucano Berio. 
Në numrin e madh të aktiviteteve me mbi 500 pjesëmarrës nga 16 shtete janë përfshirë 24 premiera botërore, 7 klasa mjeshtërore, një ekspozitë multimediale, prezantime librash dhe disqesh të reja, si dhe një konferencë ndërkombëtare e kushtuar inteligjencës artificiale në artet interpretative.

Шломо Минц

FOTO: Facebook/ Shlomo Mintz

Hapja solemne e festivalit do të jetë më 22 maj në sallën "Bullgaria" me koncertin e Filarmonisë së Sofjes dhe solistët botërorë Aleksandrina Pendaçanska dhe Shlomo Mintz, të drejtuar nga Najden Todorov.

Софийска филхармония

FOTO: sofiaphilharmonic.com

Festivali do të përfundojë më 3 tetor, përsëri në sallën kryeqytetase "Bullgaria", me një koncert bamirësie me titull "Shpresë për jetë", me pjesëmarrjen e muzikantëve dhe artistëve të njohur. 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: sofiaweeks.com, sofiaphilharmonic.com, Facebook/ Shlomo Mintz