LAJME

Artikull

KE dhe BQE: Bullgaria është gati të pranojë euron nga 1 janari 2026

Mërkurë, 4 Qershor 2025, 12:17

KE dhe BQE: Bullgaria është gati të pranojë euron nga 1 janari 2026

FOTO: EPA/BGNES

Madhësia e shkronjave

Siç pritej, raporti i konvergjencës për Bullgarinë, i publikuar sot nga Komisioni Evropian, thotë se vendi ynë është gati të miratojë euron nga 1 janari 2026, pasi tashmë i plotëson të gjitha kriteret, përfshirë inflacionin, njoftoi korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare në Bruksel, Angelina Piskova. Shkalla mesatare e inflacionit në vendin tonë ishte 2.7%, që është nën vlerën referuese prej 2.8%. Kështu, Bullgaria do të bëhet shteti i 21-të anëtar i BE-së që i bashkohet eurozonës. Komisioni paralajmëron se inflacioni do të rritet në muajt në vijim, por do të ulet më pas, duke theksuar shprehimisht se rritja do të jetë afatshkurtër.

FOTO: ЕПА/БГНЕС

"Falë euros, ekonomia bullgare do të bëhet më e fortë, me më shumë tregti me partnerët e eurozonës, investime të huaja direkte, qasje në financim, vende pune cilësore dhe të ardhura reale. Dhe Bullgaria do të zërë vendin e saj të merituar në formësimin e vendimeve në zemër të eurozonës", tha presidentja e KE-së Ursula von der Leyen.
Raporti i konvergjencës i Bankës Qendrore Evropiane jep gjithashtu një vlerësim pozitiv për gatishmërinë e Bullgarisë për të miratuar euron më 1 janar të vitit të ardhshëm, njoftoi gazetarja e BNR-së Marta Mlladenova. Banka thekson se vendi ynë është pjesë e mekanizmit të kursit të këmbimit ERM-2 dhe e unionit bankar që nga 10 korriku 2020.
Hapi tjetër është më 19 qershor, kur Eurogrupi do të diskutojë raportet në një takim në Luksemburg dhe do të miratojë një projekt-rekomandim për Këshillin. Procesi duhet të përfundojë më 8 korrik, kur vendet e Eurogrupit më në fund do të duhet të miratojnë vendimet legjislative për pranimin e Bullgarisë në eurozonë.
Lexoni më shumë mbi temën: 
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: EPA/BGNES