KULTURË

Artikull

Bullgaria është bashkëprodhuese në dy nga titujt e filmave në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary

Dielë, 8 Qershor 2025, 04:00

Foto: Karlovy Vary International Film Festival

Foto: Karlovy Vary International Film Festival

Madhësia e shkronjave

Nga data 4 deri më 12 korrik, në qytetin çek Karlovy Vary do të mbahet edicioni i 59-të i festivalit ndërkombëtar të filmit. 9 nga gjithsej 11 titujt në garën për çmimin “Globusi i Kristaltë” janë premiera botërore. Vendi ynë përfaqësohet atje me dy filma, në të cilët është bashkëprodhues me Turqinë dhe Serbinë. Njëri është “Cinema Jazireh” i regjisores turke Gjözde Kura, veprimi i të cilit zhvillohet në Afganistan gjatë qeverisjes së talebanëve. Filmi është bashkëprodhim i Turqisë, Iranit, Bullgarisë dhe Rumanisë. Nga ana bullgare, bashkëprodhuese është Svetlla Cocorkova. Në programin e dytë garues të festivalit, të quajtur “Proksima”, marrin pjesë 13 filma. Njëri prej tyre është bashkëprodhim midis Serbisë, Kroacisë dhe Bullgarisë – “Si ka mundësi që këtu çdo gjë është jeshile?”. Subjekti i tij na çon në jetën e përditshme të një regjisori, i cili nuk është i kënaqur nga karriera e tij dhe vendos të niset me familjen e vet. Gjatë udhëtimit, ai zbulon gjëra të reja për prindërit e vet dhe për ta.
Produksione bullgare kanë fituar “Globusin e Kristaltë” dy herë gjatë pesë viteve të fundit. Në vitin 2019 këtë e bëri “Babai” i regjisorëve Kristina Grozeva dhe Petër Vallçanov. Ndërsa në vitin 2023, statujën prestigjioze e mori “Mësimet e Bllagës” i Stefan Komandarevit, së bashku me çmimin për aktoren më të mirë, i dhënë aktores kryesore në film – Eli Skorçeva.
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Karlovy Vary International Film Festival, nfc.bg