Autor
БНР екип
Artikull
Georgi Zllatev-Çerkin – “Sykaltra”
Premte 13 Qershor 2025 03:05
Premte, 13 Qershor 2025, 03:05
Georgi Zllatev-Çerkin (1905-1977)
FOTO: arkiva BTA
Madhësia e shkronjave
Që në vitet ’20 të shekullit XX, kompozitori i ri bullgar Georgi Zllatev-Çerkin u quajt nga kritikë muzikorë në Vjenë “Shuberti bullgar”. Krijuesi i talentuar është i njohur për veprat e tij si Trio për piano, “Pastoral” për flaut dhe piano, dhe “Sevdana” tepër popullore për violinë dhe piano, por ai është gjithashtu autor i operetave, kantatave, muzikës për kor dhe rreth 50 këngëve solistike mbi tekste të poetëve të mëdhenj bullgarë: Dimço Debeljanov, Geo Milev, Hristo Smirnenski, Elisaveta Bagrjana, Bllaga Dimitrova. Një nga muzikantët më autoritarë tanët, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme, Zllatev-Çerkin ishte një pedagog i jashtëzakonshëm vokal, që ka krijuar yje si Aleksandrina Millçeva dhe Ana Tomova-Sintova.
Ljuba Veliç në rolin e Salomes
FOTO: архив
Ndër nxënësit e Georgi Zllatev-Çerkin shkëlqen e mrekullueshmja Ljuba Veliç – një nga gratë e para bullgare që pushtuan teatrin operistik botëror. Veliç është e famshme për rolin e Salomes nga opera me të njëjtin emër e Richard Strauss-it. Kompozitori i madh ishte vetëm një nga muzikantët botërorë që admironte talentin e saj. Por jo të gjithë adhuruesit e saj e dinë se ajo ishte e preferuara e pedagogut Zllatev-Çerkin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Bullgari u përhap një thashethem se Ljuba kishte vdekur gjatë një prej bombardimeve mbi Vjenë. I tronditur, kompozitori krijoi miniaturën e tij më të njohur vokale – “Sykaltra”, mbi poezinë prekëse të Elisaveta Bagrjanës. Lajmi për vdekjen e Ljubës së bukur, me sy blu dhe flokë të kuqe, fatmirësisht doli i rremë, ndërsa “Sykaltra” – e përshkuar nga dhimbja për një njeri shumë të afërt dhe shumë të talentuar – mbetet edhe sot një nga këngët më të dashura të klasikës bullgare. Është interpretuar nga bullgare të shquara si Julia Viner, Bllagovesta Karnobatllova, Krasimira Stojanova, Nadja Krësteva, Aleksandrina Pendaçanska.
Megjithatë, pak njerëz vërtetë e dinë se ajo ka luajtur një rol jo të vogël në karrierën e së madhërishmes Gena Dimitrova. Në repertorin e Genes së paarritshme, veprat bullgare janë më pak se gishtat e njërës dorë. “Sykaltra” lidhet me triumfin e saj të parë – çmimi i parë dhe medalja e artë në Konkursin e katërt për këngëtarë të rinj operistikë në Sofje në vitin 1970.
Gena Dimitrova në rolin e Abigail nga "Nabucco" e Verdit
FOTO: operasz.bg
Janë interesante regjistrimet nga raundi i parë dhe i dytë i konkursit – nga prilli i vitit 1970, kur këngëtarët e rinj duhej të interpretonin fragmente operistike dhe miniatura me piano. Gena këndoi arie nga “Forca e fatit” e Verdit dhe “Don Zhuan” i Mocartit, këngë të Richard Strauss-it dhe Rahmaninovit, si edhe “Sykaltrën” e Georgi Zllatev-Çerkin. Regjistrimi me pianistin mjeshtër Atanas Atanasov është pjesë e një arkive të paçmuar, që është në pronësi të vetme të Radios Kombëtare Bullgare. Në fund dëgjohen duartrokitje – konkursi ynë i famshëm operistik, një nga krenaritë e humbura të muzikës bullgare, lejonte publik në të gjitha raundet. Pas medaljes së artë në Sofje, në vitin 1972 Gena Dimitrova fitoi çmimin e parë edhe në konkursin në Trevizo. Pasoi specializimi në “La Scala” të Milanos dhe karriera botërore që e bëri të njohur sot. Gena Dimitrova u nda nga jeta më 11 qershor 2005. Dy dekada më vonë, le ta kujtojmë me “Sykaltrën”.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, operasz.bg, arkiva
Publikoi / Publikuan: БНР екип