Një sërë institucionesh – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Agjencia e Punësimit, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Ministria e Brendshme, si dhe deputetë të Kuvendit Popullor, kanë marrë një angazhim të qartë: të përmirësojnë kushtet për tërheqjen e njerëzve nga diasporat tradicionale bullgare jashtë vendit drejt tregut të punës në Bullgari.
Bullgarja nga Besarabia, Ina Çukur, është përfaqësuese e një shoqate që merret pikërisht me tërheqjen e specialistëve të tillë në Bullgari dhe prezantoi problemet kryesore me të cilat përballen:
Ina Çukur
FOTO: events.starazagora.bg
“Ligji është i tillë që fillimisht duhet të regjistrohen atje, dhe më pas Agjencia e Migracionit duhet t’u japë leje qëndrimi në Bullgari. Por aktualisht, në momentin që ne dorëzojmë dokumentet pranë Agjencisë së Punësimit brenda 7 ditëve, ende nuk ka një qëndrim nga Drejtoria e Migracionit, dhe për këtë arsye na refuzojnë. Pas marrjes së këtij refuzimi, ne jo vetëm që duhet t’i largojmë këta njerëz, por përballemi edhe me procese gjyqësore që zgjatin një vit, një vit e gjysmë, gjë që sigurisht pengon biznesin dhe mundësinë për të punësuar bullgarë nga jashtë. Dhe kjo shpesh na bën të heqim dorë nga punësimi i bullgarëve nga jashtë dhe të drejtohemi drejt punësimit të personave të tjerë,” sqaroi zonja Çukur për Radio Bullgarinë.
Përveç nga Ukraina dhe Moldavia, interes të veçantë për Bullgarinë ka edhe nga bullgarët nga Serbia – tregojnë vëzhgimet e Ina Çukur.
“Ka shumë njerëz, veçanërisht nga fshatrat dhe qytetet afër kufirit bullgar, që punojnë në ndërmarrje prodhuese etj. Kohët e fundit ka një fluks të konsiderueshëm nga Serbia,” tha ajo.
Iniciativa si “Zgjidh Bullgarinë” janë pozitive, dhe tërheqja e njerëzve nga diasporat tona historike është një nismë e mrekullueshme, por fatkeqësisht do të jetë vetëm “një pikë në oqean” kur vjen puna tek zgjidhja e problemeve të thella në tregun e punës – shprehu realizmin e tij të ashpër Vasil Velev, kryetar i një prej organizatave më të mëdha të punëdhënësve në vend – Shoqatës së Kapitalit Industrial në Bullgari (AIKB).
Pesimizmi i tij i arsyeshëm mbështetet edhe nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale – që nga viti 2018 janë regjistruar vetëm 1 228 persona me prejardhje të dëshmuar bullgare që kanë gjetur punë. Dhe për shkak të rënies demografike, çdo vit numri i pensionistëve tejkalon me rreth 50,000 numrin e të punësuarve të rinj në Bullgari, që është një pasojë direkte edhe e normës së ulët të lindshmërisë:
“Në vitet e fundit lindin më pak se 60,000 njerëz, ndërsa pensionohen pak më shumë se 100,000. Nëse duam që në vitet në vijim ekonomia bullgare të mos shembet, duhet të tërheqim fuqinë punëtore – tha me bindje Velev. – Diaspora bullgare padyshim që është në vend të parë, sepse atje nuk ka barriera gjuhësore, nuk ka probleme me socializimin apo jetesën. Por ajo, së pari, është e vogël, dhe së dyti, nuk ka arsimimin dhe kualifikimet e nevojshme në ato përmasa dhe në ato nivele që tregu i punës ka mungesë. Kjo do të thotë që nuk mund të jetë një zgjidhje për problemin. Ajo ndihmon, por në kufizime shumë të ngushta. Për Ukrainën aktualisht nuk ka asnjë kufizim për të filluar punën menjëherë, por në praktikë ata janë shumë pak,” theksoi Vasill Velev.
Në tre vitet e fundit ka një tendencë të qartë rritjeje të punëtorëve nga vendet e treta – nga rreth 10,000 në vitin 2022 në 32,500 në vitin 2024, ku këtu flasim kryesisht për punë sezonale në sektorin e shërbimeve, veçanërisht në turizëm, por jo vetëm. Në krye janë njerëzit nga Uzbekistani, Nepali, Turqia, India, Kirgistani dhe të tjera. Një pengesë e madhe për biznesin përballë kësaj tendence pozitive për të janë procedurat e ngadalta administrative, theksoi me vendosmëri Velev.
“Kjo është një procedurë e gjatë, e ngadaltë, e shtrenjtë. Ne kemi afate prej rreth 4-6-9 muajsh nga momenti që nis procedura deri në momentin kur punëtori i huaj ose specialisti fillon punën. Çdo hajdut mund të kalojë ilegalisht kufirin dhe brenda një dite të jetë në qendër të Sofjes duke pirë kafenë në ‘Vitoshka’, por një punëtor i rregullt, specialist i zgjedhur, me kontratë të nënshkruar, nuk mund të fillojë ligjërisht punën për 9 muaj.
Grozdan Karaxhov
FOTO: МРРБ
Për zgjidhjen e problemeve të përmendura është krijuar një grup pune, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Grozdan Karaxhov, në të cilin marrin pjesë institucione të ndryshme dhe organizata punëdhënësish. Ambicia është e qartë – që shumë shpejt të propozohen dhe miratohen nga parlamenti ndryshime ligjore që lehtësojnë punësimin e punëtorëve nga vendet e treta, të cilat të hyjnë në fuqi madje edhe para përfundimit të sezonit veror.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Pixabay, events.starazagora.bg, BGNES, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike