Një jetë mes librave, fjalëve dhe urtësisë – kështu mund të përshkruhet rrugëtimi i përkthyeses së njohur Janka Trifonova Selimi, e cila në moshën 90-vjeçare vijon të sfidojë kohën me pasionin dhe përkushtimin e saj ndaj letërsisë.
Janka Selimi lindi në vitin 1935 në Bullgari. Ajo studioi gjuhën ruse në Universitetin e Moskës dhe më pas punoi për shumë vite si përkthyese në Radio Tirana për gjuhën bullgare. Ajo ka dhënë gjithashtu mësim në universitet në gjuhën ruse dhe bullgare. Bibliografia e saj përfshin përkthime të shumta të autorëve të ndryshëm si Stefan Canev, Jordan Jovkov, Bllaga Dimitrova, Boja Biolçev dhe Aleksandar Tomov etj. Që në vitin 2019 është përkthyese e rrjetit TRADUKI dhe ka përkthyer romanet në shqip: “Hotel Grand”, Renato Baretić, “Fëmijët e Hansenit”, Ognjen Spahić, “Tespihet Fosforeshente”, Jovan Nikoiladis dhe romanin “Gjarpër i Shtëpisë” në bullgarisht të autorit Arian Leka.
Këtë përvjetor të veçantë, Janka Selimi e feston me ribotimin e veprës "Roman Natyral" nga autori bullgar Georgi Gospodinov, të cilin ajo e kishte përkthyer vite më parë në shqip dhe që tashmë rikthehet në duart e lexuesit me një pamje bashkëkohore, falë shtëpisë botuese "Papirus".
Vetë autori, Georgi Gospodinov, ka ndarë një urim të ngrohtë për të në rrjetin social Facebook:
“Janka Selimi, në foto, e cila përktheu vite më parë Roman Natyral në shqip, feston 90-vjetorin e saj me këtë botim të ri të sapodalë të romanit! Vajza e saj, përkthyesja nga bullgarishtja Milena Selimi, e vazhdoi misionin e saj, duke përkthyer “Fizika e trishtimit”, “Kohëstrehimi” dhe së shpejti “Kopshtari dhe vdekja”, së bashku me libra të tjerë nga autorë bullgarë. Uroj të keni shëndet! Gëzuar përvjetorin, e dashur Janka!”
Figura e Janka Selimit është një frymëzim për të gjithë ata që besojnë se dashuria për letërsinë nuk njeh moshë. Kontributi i saj në fushën e përkthimit ka ndihmuar në afrimin e kulturave dhe në njohjen e letërsisë bashkëkohore bullgare nga lexuesit shqiptarë.
Radioja Kombëtare Bullgare i uron Gëzuar 90-vjetorin, Janka Selimit! Me urimin për të qendruar gjithmonë e fortë dhe frymëzuese!
Lexoni më tepër:
Foto: Milena Selimi, arkivi personal i Janka Selimit