Artikull
Mjekët e rinj kërkojnë një pagë minimale jo më të ulët se 150% e pagës mesatare
Enjte 3 Korrik 2025 06:43
Enjte, 3 Korrik 2025, 06:43
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Mjekët pa specializim dhe infermierët duhet të marrin një pagë minimale që arrin 150% të pagës mesatare në vend. Këtë propozim e paraqitën në një tryezë të rrumbullakët në Kuvendin Popullor mjekët protestues nga iniciativa “E ardhmja në Bullgari”, njoftoi gazetarja e BNR, Elena Bejkova. Projektligji parashikon gjithashtu shpërblim shtesë për kualifikime të avancuara – me një përqindje më të lartë nëse njohuritë janë fituar në një shtet tjetër anëtar të Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, mjekët e rinj propozojnë një tarifë më të lartë për punën gjatë natës, si dhe vendosjen e një raporti 1 me 10 ndërmjet pagës më të ulët dhe më të lartë të specialistëve mjekësorë. Megjithatë, këto propozime u kritikuan nga Bashkimi i Mjekëve Bullgarë dhe nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Kostadin Angellov. U shprehën shqetësime se specialistët më të mirë do të largohen nga vendi për shkak të kufirit të vendosur mbi të ardhurat.
Një ditë më parë, Komisioni i Shëndetësisë vendosi që deri më 28 korrik të paraqitet për shqyrtim një projektligj që rregullon kërkesat minimale për pagesën e punës së personelit mjekësor.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA
Publikoi / Publikuan: БНР екип