MUZIKË

Artikull

Na la Verka Siderova – zëri i saj mbetet një standard në folklorin e Dobruxhës

Enjte, 3 Korrik 2025, 12:40

Verka Siderova

Verka Siderova

FOTO: arkiv

Madhësia e shkronjave

Verka Siderova, zëri i artë i Dobruxhës dhe i Bullgarisë, përfundoi udhën e saj tokësore në moshën 99-vjeçare. Lajmin e hidhur e bëri të ditur familja e këngëtares.
E lindur më 26 prill 1926 në qytetin Dobrç të Bullgarisë Verilindore, Verka Siderova përfundoi arsimin fillor në gjuhën rumune (në atë kohë qyteti ishte pjesë e Rumanisë), e më pas ndoqi gjimnazin klasik në Dobrç, ku mësonte latinisht dhe greqishtt ë lashtë. Ajo mësoi gjithashtu frëngjisht dhe anglisht, ndërsa italishtja i shkonte aq për shtat, sa më vonë u bë edhe “përkthyese” e Filip Kutevit gjatë turneve të ansamblit folklorik që ai drejtonte në Itali. Për këtë kujtonte me buzëqeshje vetë Verka në një nga intervistat e saj për Radio Bullgarinë.
Intelekt i kombinuar me talent të lindur - kolegët gazetarë i kanë theksuar vazhdimisht këto virtyte të Verka Siderovës, të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në formësimin e stilit dhe repertorit të saj.

FOTO: архив

Verka Siderova është Qytetare Nderi e Dobrçit dhe mbajtëse e dekoratës më të lartë të Republikës së Bullgarisë – Urdhri “Stara Planina”, grada  e parë.
Këngëtarja, interpretimi i së cilës i këngës “A je tulipan apo zymbyl” mbetet i pakrahasueshëm edhe sot, ishte gjithashtu një optimiste e vërtetë dhe e natyrshme. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ajo rrëfeu:
“Çdo ditë diçka ndryshon dhe nuk di se ku do të çojë kjo. Por unë mundohem të ruaj forcën e shpirtit dhe vetë krijoj humorin tim. Nëse ndjej se jam e mërzitur, nis të këndoj ndonjë këngë qesharake, madje ndonjëherë edhe nga ato “të kripura”, që njerëzit i quajnë “këngë e të hënës”. Thonë – kur plakesh, jeta të bëhet e mërzitshme, por nuk është kështu. Unë kam marrë shumë nga jeta, jam mirënjohëse Zotit dhe prindërve të mi për këtë. Por duket se vjen një moment kur duhet të kthesh gjithçka që ke marrë, derisa prej teje të mos mbetet më asgjë...”
Përulje për kujtesën e saj të shenjtë!
Përpiloi: Krasimir Martinov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Radioja Kombëtare Bullgare - Allbena Bezovska, arkivi personal

Publikoi / Publikuan: БНР екип