Ekipi ynë është në përgatitje intensive për edicionin e tretë radhazi të kontrolleve parandaluese falas në zonën e Prespës së Vogël në Shqipëri, njoftoi Fondacioni “Kujtesa Bullgare”. “Me shumë përkushtim dhe kujdes po organizojmë këtë nismë, e cila me kalimin e viteve u kthye në një ngjarje të shumëpritur dhe me rëndësi për komunitetin bullgar vendas”, thuhet në deklaratën e fondacionit të filantropit të njohur, Dr. Milen Vrabevski.
Në kontrollet parandaluese të vitit të kaluar, mjekë nga tre prej institucioneve më të njohura shëndetësore në Bullgari, të udhëhequr nga prof. Ivo Petrov, bashkuan forcat për të vizituar dhe kontrolluar qindra banorë të rajonit – plotësisht falas, thuhet në postimin e Fondacionit në Facebook, pa specifikuar datën e fillimit të kontrolleve. Vitin e kaluar, ato u zhvilluan në pranverë, në fund të muajit prill.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova