Mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmë para Gjykatës në Sofje për të protestuar duke kërkuar drejtësi të pavarur dhe në mbrojtje të kryetarit të arrestuar të Varnës, Bllagomir Kocev. Demonstrata u organizua ngabashkësia civile “Drejtësi për të Gjithë” dhe u mbajt nën moton “Kundër shkopinjve të fortëve”.
Qytetarët, protesta e të cilëve u shndërrua në një procesion drejt ndërtesës së Asamblesë Kombëtare, mbanin në duar postera me mbishkrimet “Bullgaria është një vend evropian, fundi i mafies po afron”, “Ligji nuk është shkopinj”, “Ndaloni mbulimin e fajtorëve dhe ndëshkimin e të pafajshmëve”, “Varna për Bllagon”, raportoi BTA. “Hetimet e fundit kundër kryetarëve të bashkive dhe nënkryetarëve të bashkive tregojnë drejtësi selektive dhe një lidhje midis prokurorisë dhe oligarkisë”, thanë organizatorët.
“Ligji ka një pronar dhe emri i tij është Deljan Peevski – ortaku i Bojko Borisovit. Në vend që institucionet t’i shërbejnë shoqërisë, në vend që ta mbështesin atë dhe ta lejojnë të ekzistojë në një mënyrë normale, ato po përdoren nga disa banditë,” u tha protestuesve Ivajllo Mirçev, bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike”.
Në Varna, qytetarët dolën në rrugë përpara ndërtesës së Bashkisë për protestën e tretë radhazi, duke shprehur mbështetjen e tyre për kryetarin e bashkisë. Demonstrata u mbajtën edhe në qytete të tjera të mëdha.
Më parë, dëshmitari kryesor kundër Bllagomir Kocev – ish-nënkryetari i bashkisë së Varnës Dian Ivanov, tërhoqi dëshminë e tij. “Sot paraqita një deklaratë në Prokurorinë e Qytetit të Sofjes, duke deklaruar se dëshmia ime në procedurat paraprake 220/24 është e rreme, pasi është dhënë nën presionin e punonjësve të Komisionit Kundër Korrupsionit – Sofje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë me mua,” shkroi ai në Facebook.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: Facebook/People of Sofia