Artikull
Konkursi Ndërkombëtar “Yjet e Muzikës pa Kufij” ka data të reja
Hënë 21 Korrik 2025 12:15
Hënë, 21 Korrik 2025, 12:15
FOTO: linguaggiom.com
Madhësia e shkronjave
Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës "INTERNATIONAL MUSIC STARS SENZA FRONTIERE" do të mbahet në fillim të shtatorit, dhe jo në korrik siç ishte njoftuar më parë. Fëmijët dhe të rinjtë nga Evropa do të prezantojnë talentin e tyre muzikor në kompleksin turistik Allbena nga 1 deri më 4 shtator 2025. Festivali është i natyrës garuese dhe ofron një platformë për lançimin e talenteve të reja në skenat evropiane.
Тони Риджи
FOTO: linguaggiom.com
Do të marrin pjesë të rinj nga disa vende evropiane. Organizatorët kryesorë janë shoqata italiane "Arcadia", presidenti i së cilës, Tony Riggi, ka shumë vite përvojë nga Festivali i San Remos dhe ngjarje të tjera muzikore. Ideja është që të rinjtë e talentuar të kenë mundësinë të performojnë në skenat evropiane. Konkursi është i hapur edhe për njerëzit në gjendje të pafavorizuar, për të cilët regjistrimi është falas.
Festivali mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sportit, Fenalc (Asociacioni i Shoqatave Italiane Kulturore dhe Sportive), Libertas (Qendra Kombëtare Sportive) nga ana italiane dhe Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Romë dhe Instituti Kulturor Bullgar në Romë nga ana bullgare - njoftoi për Radio Bullgarinë Veneta Nenkova nga ekipi organizator.
FOTO: albena.com
Kryetari i jurisë ndërkombëtare është këngëtari dhe pedagogu i njohur i vokalit, Prof. Etien Levi. Në kuadër të festivalit do të mbahen klasa master falas të drejtuara nga pedagogë dhe specialistë italianë të muzikës. Koncerti i fundit do të filmohet dhe transmetohet në televizionin italian SKY më 16 dhe 17 tetor 2025.
Radio Bullgaria është partner mediatik i ngjarjes.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: linguaggiom.com, albena.com