Fortesa Urviç përsëri zbulon sekretet e saj – këtë herë nga koha kur Sofja ka qenë Serdika romake. Një kullë trekëndore prej guri, e datuar nga fundi i shekullit të II, u zbulua nga arkeologët e rinj Dr. Filip Petrunov dhe Violina Kiriakova në ditët e fundit të gërmimeve arkeologjike, të financuara nga Bashkia e Sofjes. Zbulimi u bë në një thellësi prej 1,7 metrash, ku arkeologët hasën struktura të mëdha prej guri me plan të pazakontë trekëndor. Shkencëtarët supozojnë se ndërtimi është bashkëkohës me zhvillimin e Serdikës – emri që ka pasur kryeqyteti ynë i sotëm në kohët antike, kur ishte qendër e një province të Perandorisë Romake.
Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Ky është ndërtimi më i hershëm i zbuluar deri më tani në territorin e Urviçit dhe shënon fillimin e rolit të tij strategjik që në Antikitet. Në këtë përfundim na çon edhe fakti që monedhat më të vjetra të zbuluara deri tani në territorin e gërmimeve datojnë nga sundimi i perandorit romak Karakala (211–217). Interes paraqet edhe struktura e kullës, e cila është riparuar disa herë në epokat pasuese.
Veçanërisht e rëndësishme është monedha bizantine e perandorit Isak II Angell (1185–1195), e cila tregon për rindërtime në fund të shekullit XII. Kjo tregon se kulla trekëndore ka ruajtur rëndësinë e saj strategjike për më shumë se një mijëvjeçar.
Paralelisht me zbulimet arkeologjike, në vend janë vendosur edhe tabela të reja informuese, të cilat e lehtësojnë vizitën e vizitorëve dhe i njohin me zbulimet më të rëndësishme.
Përpiloi: Veneta NikollovaPërgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi NikollofskiFoto: historymuseum.org