Autor
Diana Cankova
Reportazh
Enjte 20 Nëntor 2025 20:00
Enjte, 20 Nëntor 2025, 20:00
FOTO: Muzeu Rajonal Etnografik - Plovdiv
Madhësia e shkronjave
Një dragua që nxjerr zjarr do t’i presë vizitorët e Muzeut të parë të hekurit të hekurosjes në Ballkan, i cili hapet më 21 nëntor në Plovdiv. Nga goja e tij do të rrjedhin fjalë inkurajimi – që njerëzit, me sy të etur për dije të reja, të zhyten në historinë e një pajisjeje, e cila ka lindur relativisht shpejt pas shfaqjes së njeriut në këtë Tokë.
Që me shkeljen e pragut të muzeut do të lindin shumë pyetje, siguron kuratorja në Muzeun Rajonal Etnografik, Grozdelina Georgieva: “Pse mbi hekurat ka figurina në reliev të perëndive dhe perëndeshave, të gjelave dhe djajve të vegjël, të lules së lotosit dhe ujkonjës italiane me Romulin dhe Remosin?”.
Grozdelina Georgieva, Muzeu i hekurit të hekurosjes
FOTO: Muzeu Rajonal Etnografik - Plovdiv
Rezulton se kjo pajisje për shekuj me radhë ka shërbyer jo vetëm për të sheshuar pëlhurat, por edhe për të zbukuruar shtëpinë. Ajo lind sapo njeriu i shpellës hedh tutje lëkurat.
Nga vjen fjala ‘јutiја’ në gjuhën bullgare dhe që prej kur?
“Hekurat e parë përfaqësonin gurë, të cilët përmes nxehjes arrinin të drejtëzonin fijet e rrudhura, të zëvendësuar më vonë nga copa metali të nxehta në vatra – rrëfen kuratorja. – Në muze do të mësoni, për shembull, se në kohën romake ajo ishte e punuar prej materiali të paqëndrueshëm dhe mënyra si duket mund të kuptohet vetëm nga vizatimet dhe afreskat. Këtu do të shihni edhe disa nga hekurat më të lashta në botën lindore – ata kinezët, të përdorur për hekurosjen e mëndafshit nga shekulli IV p.e.s. deri në mesin e shekullit XX. Me ndihmën e materialit fotografik, imazheve dhe animacionit do të njiheni me simbolet mbi shumë nga hekurat, të cilët përveç figurave tre-dimensionale kanë edhe gdhendje me anije, dragonj dhe grifonë.Në përgjithësi do të zhytni veten në një botë simbolike e cila prezantohet përmes një pajisjeje në dukje të thjeshtë.”
FOTO: Muzeu Rajonal Etnografik - Plovdiv
Në tokat bullgare hekuri përdoret që nga kohët prehistorike. Gjatë shekullit XIV mjeshtrit fillojnë ta punojnë atë nga një copë hekuri dhe në muze mund të shihen pajisjet e hershme të abazhinjve, të quajtura “patat” për shkak të pamjes së tyre të çuditshme – në ekspozitë është parashikuar një sallë e veçantë kushtuar prodhimit bullgar të hekurave:
“Tek ne më popullor bëhet hekuri suedez me qymyr, i cili punon me qymyr të nxehur – vazhdon rrëfimin e saj Grozdelina Georgieva. – Në të njëjtën kohë, disa prej fabrikave në Kazanllëk prodhojnë një pajisje me trup oxhaku, por oxhaku për nxjerrjen e avullit është i vendosur në pjesën e pasme, e jo përpara, si tek tipi anglez. Me këto hekurë të rëndë janë sheshuar uniformat ushtarake. Plovdivi, për më tepër, ka qenë kampion me rreth gjashtë fabrika që prodhonin hekur me qymyr dhe më pas u bashkuan në ndërmarrjen shtetërore ‘Ballkan’. Që nga viti 1953 paralelisht fillon të përdoret edhe hekuri me qymyr, edhe ai elektrik.”
FOTO: Muzeu Rajonal Etnografik - Plovdiv
Dhe meqë hekuri ka qenë një objekt shumëfunksional, në muze është krijuar një sallë e veçantë ku mund të shihet se si gjatë shekullit XIX fillojnë të prodhohen prototipe të hekurave funksionale me dekor, që shërbenin edhe si kuti për lule, vezë e madje edhe si vend fshehjeje për letra. Pajisje të ngjashme prej porcelani, për shembull, shiteshin në dyqanet e suvenireve, sepse njerëzit kishin zbuluar se ato rrezatonin një bukuri të vetën dhe rrinin bukur në raftin e shtëpisë.
Një detaj tjetër interesant është se hekuri për shumë vite nuk ka qenë pajisje për gratë për shkak të peshës së tij, që ndonjëherë arrinte deri në 10 kilogramë. A janë kujdesur vërtet burrat për bukurinë e veshjes së zonjave të tyre? “Sigurisht, abazhinjtë dhe terzinjtë tanë kanë qenë burra, sepse shumë vështirë një grua do të ia dilte me të ashtuquajturën ‘patë’,” përgjigjet Grozdelina Georgieva. Në të kaluarën ka pasur edhe lloje të ndryshme hekurash në varësi të elementeve të rrobës.
“Kemi hekur për pantallona, kemi për kravata, për dantella – jep shembuj kuratorja. – Hekuri është i lidhur pazgjidhshmërisht jo vetëm me pëlhurën, por edhe me zhvillimin e modeleve. Nëse tek ne gjatë shekullit XVII vishej veshje popullore dhe nuk kishte nevojë për hekura të hollë, pasi nuk mund ta lëmonin aba-n e ashpër, kujtoni çfarë fustanesh dhe veshjesh për burra me jaka me dantella ka pasur në Francë, në Austro-Hungari. Prandaj mund të themi se kjo është një pajisje të cilën e zotëron moda.”
FOTO: btvnovinite.bg
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Foto: Muzeu Rajonal Etnografik – Plovdiv, btvnovinite.bg
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski