Duke ndjekur hapat e Alekos dhe ekspeditës së tij legjendare deri në Çerni Vrëh – kështu qindra dashamirës të malit do të festojnë 130 vjetorin e ekskursionit të parë të organizuar turistik në vendin tonë. Festimet jubilare filluan me një program në Klubin Ushtarak në Sofje më 27 gusht dhe do të vazhdojnë deri në fund të muajit – me ceremoni përkujtimore, ngjarje sportive dhe koncerte.
FOTO: Български Туристически Съюз
Në ditën e shtunë, më 30 gusht, u vendosën kurora para Teatrit Kombëtar, pas së cilës nisi një program festiv, i udhëhequr nga një orkestër frymore dhe një grup kërcimtaresh, që shkoi në bulevardin "Vitosha" drejt monumentit të
Aleko Konstantinov – Fatlumi. U vendosën lule për nder të tij. Mbrëmja përfundoi me një koncert të madh para Pallatit Kombëtar të Kulturës me pjesëmarrjen e Desi Dobrevës dhe grupit "Diana Express".
Kulmi i festës, megjithatë, do të ndodhë të dielën më 31 gusht. Që në agim do të nisin tradicionalet "Marshimet e luanëve" nga fshati Zheleznica, "Urat e Arta" dhe shtëpia e pushimit "Aleko". Në ora 09:00, nga Pallati Kombëtar i Kulturës do të nisë gara malore "Vitosha Run 2025". Pritet që garuesit të mbarojnë rreth mesditës në Çerni Vrëh, ku do të hapet Panairi Kombëtar i Turizmit. Po tek stacioni "Aleko" do të hapet stenda e Bibliotekës së Kryeqytetit me "Bibliobusin". Në ora 13:00 do të shpallen fituesit, ndërsa më pas mysafirët do të shijojnë një koncert të koreve turistike dhe një program të pasur artistik.
Përpiloi: Veneta Nikollova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Bashkimi Turistik Bullgar, stolica.bg