Artikull
Një spektakël i rrallë qiellor – Hëna e Kuqe ndriçon qiellin e natës mbi Bullgari
Dielë 7 Shtator 2025 04:10
Dielë, 7 Shtator 2025, 04:10
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Në mbrëmjen e së dielës, më 7 shtator, qielli do të na ofrojë një spektakël të jashtëzakonshëm të njohur si Hëna e Kuqe. Bëhet fjalë për një eklips total hënor, gjatë të cilit Hëna do të marrë nuanca të zjarrta portokalli dhe të kuqe. Ky eklips ndodh vetëm disa ditë para se Hëna të arrijë perihelionin – pikën më të afërt me Tokën në orbitën e saj – prandaj do të duket pak më e madhe se zakonisht.
Rreth 36% e diametrit të Hënës do të kalojë nëpër pjesën më të errët të hijes së Tokës, duke krijuar një eklips të thellë dhe me ngjyra të pasura. Në Bullgari, fenomeni do të mund të shihet nga ora 18:28 deri në 23:55 me orën lokale, ndërsa faza e plotë do të arrijë kulmin rreth orës 21:12 dhe do të zgjasë për rreth një orë e njëzet minuta, para se Hëna të largohet ngadalë nga hija.
FOTO: balkannews.bg
Dhe ka ndonjë vend më të bukur për të parë këtë fenomen se sa në periferi të malit Rila, ku ajri është i pastër dhe yjet shkëlqejnë më afër e më ndritshëm? Pikërisht atje, në fshatin piktoresk Beli Iskër, për herë të parë më 7 shtator do të mbahet Festivali i Hënës – një festë e muzikës, miqësisë dhe shpirtit të lirë.
Nën dritën e këtij qielli të pazakontë do të dëgjohen stile të ndryshme muzikore – nga rock, blues dhe hip-hop deri te jazz, muzikë klasike dhe etno-fusion. Publiku do të përfshihet në një udhëtim muzikor shumëngjyrësh me artistë nga Bullgaria dhe bota, ndërsa për mbyllje, Ivan Shopov do të ndërthurë folklorin, jazz-in dhe ritmet elektronike në një përvojë të paharrueshme kërcimi.
Përpiloi: Veneta Nikollova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: ixabay, balkannews.bg
Publikoi / Publikuan: St. Pavlov