Bregdeti ynë jugor i Detit të Zi vazhdon të presë qindra mijëra pushues edhe pas kulmit të sezonit turistik. Në fillim të shtatorit qytetet turistike ende marrin frymë me ritmin e verës, ndërsa bashkia bregdetare Carevo është përplot me turistë – kryesisht familje bullgare nga qytetet e mëdha, por edhe të huaj, që kërkojnë më shumë sesa pushim standard në plazh. Në këtë drejtim Carevo ka çfarë të ofrojë për zgjatjen e sezonit, i cili këtë vit pritet të përfundojë drejt fundit të muajit. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, kryetari i Bashkisë së Carevos, Marin Kirov, e përcakton sezonin që po ikën "Vera 2025" kështu:
"Jashtëzakonisht i suksesshëm! Për fat të mirë të të gjithë kryetarëve të bregdetit të Detit të Zi, nuk u realizuan tendencat negative që priteshin me Shengenin dhe me interesin e madh ndaj Greqisë. Bregdeti Bullgar i Detit të Zi sërish gëzoi interes të madh nga qytetarët tanë dhe nga turistë të huaj, sigurisht. Për bashkinë sezoni vazhdon edhe tani. Kemi një program jashtëzakonisht të pasur deri në fund të muajit shtator, në mënyrë që njerëzit të përfitojnë. Dhe madje pas fillimit të vitit shkollor fëmijët do të mund për fundjavat të kthehen tek ne. Aktualisht mund të flasim në Bashkinë Carevo për rritje në shitjen e pasurive të pushimit, për statistika konkrete do të mund të flasim drejt fundit të shtatorit. Por tradicionalisht bashkia jonë mbetet e preferuar nga turistë bullgarë nga qytetet e mëdha dhe nga të huajt."
FOTO: Facebook /Bashkia Carevo
Investimet infrastrukturore janë ndër faktorët kyç për këtë sukses. Gjatë vitit 2025 buxheti komunal është rritur nga 30 në 83 milionë leva falë fondeve evropiane dhe financimit të brendshëm. Ndërsa ndërtimi i një qendre të re mjekësore, e vetmja në jug të Burgasit, dhe riparimi i rrugëve drejt fshatrave të Stranxhës Fazanovo dhe Brodilovo, si dhe i lidhjes rrugore ndërmjet fshatit Lozenec dhe qytetit Carevo, kanë përmirësuar sigurinë dhe qasjen e turistëve deri tek ata, thotë kryetari i Bashkisë. Në gusht zënia e vendeve të akomodimit ishte mbi 95%.
Përveç tregjeve tradicionale si Çekia dhe Polonia, këtë verë në Carevo dhe rrethina janë kthyer turistët nga Gjermania dhe Danimarka.
FOTO: Facebook /Bashkia Carevo
"Ky është turizëm i lartë dhe i mesëm, njerëz që vijnë këtu edhe për shkak të programit kulturor, për shkak të shëndetësisë së përballueshme dhe sigurisë që marrin në vend – kjo është tendenca, – thotë Kirov për Radio Bullgarinë. – Me ekipin tim e zhvillojmë Bashkinë Carevo jo thjesht si destinacion unik, por si vend të mirë për jetesë dhe për blerje të pasurive të pushimit në vendbanimet tona. Sepse në këtë mënyrë vërtet arrijmë zgjerim të sezonit me njerëz që kanë pasuri këtu dhe mund të qëndrojnë vazhdimisht ose të vijnë dhe të kthehen."
Shihni më tepër nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
FOTO: Facebook /Bashkia Carevo
Kaleidoskopi kulturor është një aset serioz për tërheqjen e turistëve. Nga maratona "Kalanxha" në maj me mbi 2000 pjesëmarrës deri te festivali i dritave LUNAR (për herë të parë jashtë Sofjes) dhe Festivali i Peshkut më 6 shtator, programi argëtues i komunës bashkon sport, art dhe tradita. Ndërsa më 11 shtator, Carevo sërish do të këndojë me shpirt dhe kitarë në të ashtuquajturën "Xhurxhuna" ose Mbrëmja e këngës së Carevos. FOTO: Facebook /Bashkia Carevo
"Vendbanimet tona kanë profil shumë të ndryshëm, sepse ne nuk jemi vetëm qendra komunale Carevo, ne jemi edhe Llozenec, Varvara, Ahtopol, Sinemorec... Në çdo vendbanim ka kategori të ndryshme turistësh. Llozeneci është një destinacion i klasit të lartë për festa, këtu nuk flasim për festa adoleshentësh, por për lokale serioze që ofrojnë shërbim me klas shumë të lartë për njerëz me mundësi financiare. Carevo është tradicionalisht kryeqyteti kulturor i bashkisë, Varvara dhe Sinemorec ofrojnë mundësi për turizëm alternativ, për tenda, për kamping. Ahtopoli është vend më romantik. Kështu që ofrojmë përvoja të ndryshme në vendbanimet e ndryshme" – tha në përfundim Marin Kirov.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: tsarevo.bg, Facebook /Bashkia e Carevos, Facebook /LUNAR