Christine Lagarde deklaroi se anëtarësimi në zonën e euros do t’i sjellë Bullgarisë stabilitet si pjesë e zonës valutore. Kjo është detyra kryesore e Bankës Qendrore Evropiane – të ruajë stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm, gjë që do të jetë në të mirë edhe të Bullgarisë, tha ajo sot në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së BQE-së për përcaktimin e normave të interesit, raportoi BTA. Ajo shprehu besimin se pranimi i euros do të sjellë përfitime të mëdha për Bullgarinë, por theksoi edhe rëndësinë e menaxhimit të duhur të kalimit në monedhën e re. Lagarde theksoi se me këtë hap, Bullgaria do të fitojë të drejtën e votës për vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën monetare dhe stabilitetin ekonomik të eurozonës. Ajo kujtoi se kur vende të tjera kaluan në euro, "në fillim pati shqetësime". "Megjithatë, euroja solli përfitime të konsiderueshme, duke lehtësuar tregtinë dhe aktivitetet e biznesit, duke eliminuar nevojën për kurse këmbimi dhe duke rritur lëvizshmërinë e njerëzve. Tani Bullgaria do të jetë pjesë e një tregu me 350 milionë konsumatorë, gjë që do të hapë mundësi të reja për investime dhe rritje", shtoi ajo.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: EPA/BGNES