Sipas muzikologëve të autoritetshëm, kompozitori bullgar Veselin Stojanov është "një personalitet interesant dhe në disa aspekte kontradiktor, tashmë disi i harruar". Që nga fillimi i shekullit të ri, ka mbizotëruar mendimi se krijimtaria e tij është "përtej interesit të muzikologjisë sonë". Në fakt kontributi i Veselin Stojanovit në kulturën bullgare dhe veçanërisht në arsimin tonë muzikor është më se i denjë. Nuk është rastësi që Shkolla Kombëtare e Arteve në Ruse mban emrin e tij.
Shkolla Kombëtare e Arteve „Prof. Veselin Stojanov“ në Ruse
FOTO: bg.wikipedia.org
Muzikanti i jashtëzakonshëm u rrit në familjen e kompozitorit, pedagogut dhe figurës publike të shquar nga Shumeni, Anastas Stojanov (nipi i Dobri Vojnikov). Në Akademinë e Muzikës ai u edukua nga vëllai i tij më i madh Andrej Stojanov - një pianist, kompozitor, pedagog dhe teoricien i famshëm, akademik i Akademisë Bullgare të Shkencave.
Vëllai i vogël Veselin filloi të jepte mësime private në piano dhe teori muzikore menjëherë pas kthimit të tij nga Vjena, ku u diplomua në piano dhe kompozim në Akademinë e Muzikës dhe Artit Dramatik. Në moshën 35 vjeç, ai u emërua lektor i teorisë së muzikës në Akademinë Shtetërore të Muzikës. Nga viti 1945 ishte profesor i kompozimit dhe formave muzikore, nga viti 1952 - dekan i fakultetit teorik, nga viti 1956 deri në vitin 1962 - rektor i Konservatorit Shtetëror Bullgar (siç u riemërua akademia). Në fillim të viteve 1950, Veselin Stojanov ishte drejtor i Operës së Sofjes për një kohë, por kontributi i tij më serioz ishte ai pedagogjik. Veselin Stojanov tërhoqi në profesionin e kompozitorit krijues të talentuar dhe të vlefshëm bullgarë si Todor Popov, Dimitër Petkov, Stefan Remenkov, Ivan Marinov, Aleksandër Tekeliev, Viktor Çuçkov.
Kompozitori Franz Schmidt, profesor i Veselin Stojanovit në Vjenë
FOTO: orgelwettbewerb.at
Shkolla e madhe që ata trashëguan nga profesori i tyre nuk është vetëm rezultat i studimeve me Franz Schmidt në Vjenë. Këto janë koncertet e Filarmonisë së Vjenës dhe shfaqjet e Operës së Vjenës; njohuritë e gjera të veprave të Mozartit dhe Beethovenit, Brahmsit dhe Wagnerit, Brucknerit dhe Mahlerit, Richard Strauss-it, Arnold Schoenberg-ut dhe Alban Bergut; takimet me muzikantë botërorë: Rachmaninoff, Horowitz, Kreisler, Huberman, Gieseking, Backhaus...
Kolegët e tij e quajnë "virtuozi orkestral" për shkak të mendimit të tij të thellë instrumental, përdorimit të simfonisë dramatike, teknikës lajtmotiv, harmonisë së pasur dhe orkestrimit të harlisur, shpesh ekzotik.
Portret i Veselin Stojanovit, viti 2002, Auor: Atanas Atanasov
FOTO: archives.bnr.bg
Në veprën e tij janë të pranishme dy pozicione estetike. I pari rrjedh nga perceptimi i përgjithshëm i brezit të tij për nocionin “kombëtar” - domosdoshmërisht i lidhur me artin popullor. I dyti është dëshira për të shprehur personalitetin e tij pa kufizime dhe pa u përshtatur në një sistem universal të imponuar. Ky artist kërkon vazhdimisht një ekuilibër midis shijeve të tij personale dhe atyre të vendosura zyrtarisht. Shembuj të ndritshëm janë opera "Salambo" - unike për krijimtarinë muzikore dhe skenike të Bullgarisë, si dhe baleti "Papesha Joana".
FOTO: library-haskovo.org
Veselin Stojanov ka qenë prej kohësh një klasik i njohur. Disa nga veprat e tij instrumentale vazhdojnë të ekzekutohen në skenën bullgare. Një prej tyre -"Rapsodia", e krijuar posaçërisht me porosi të Radios Kombëtare Bullgare në vitin 1956, është emblema e vërtetë e këtij artisti. Shpesh dhe me kënaqësi e interpretuar nga orkestrat tona nga vitet 1950 deri në vitet 1980, ajo edhe sot e kësaj dite është një kryevepër shembullore bullgare. Partitura e ndritshme dhe frymëzuese demonstron më karakteristikën e stilit të autorit të saj - emocionalitet magjepsës, orkestrim madhështor, nuanca melodike dhe harmonike të paimitueshme. Ju ofrojmëveprën "Rapsodia" nga Veselin Stojanov në një interpretim të Orkestrës Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare me dirigjent Vasill Stefanov.