LAJME

Artikull

Ndër pengjet e "Hamasit" ka edhe një shtetas bullgar, kujtoi kryeministri

Martë, 23 Shtator 2025, 06:16

Ndër pengjet e "Hamasit" ka edhe një shtetas bullgar, kujtoi kryeministri

FOTO: government.bg

Madhësia e shkronjave

Bullgaria e konsideron Shtetin e Izraelit si një partner strategjik kyç, dhe marrëdhëniet tona të shkëlqyera mund të japin një shtysë të fortë në sektorët e tregtisë, inovacionit, arsimit, bujqësisë dhe turizmit. Këtë e deklaroi kryeministri Rosen Zheljazkov gjatë një takimi me organizata kryesore hebraike, i cili u zhvillua në Nju Jork, raportoi korrespondenti i BNR, Svetosllav Kozllovski. “Bullgaria vazhdimisht bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve. Kriza me pengjet prek drejtpërdrejt edhe vendin tonë. Ndër personat që ende mbahen nga “Hamas” është edhe një shtetas bullgar”, theksoi kryeministri. Ai nënvizoi se është e domosdoshme të garantohet mbrojtja e të gjithë civilëve, përfshirë punonjësit humanitarë, në çdo kohë, si dhe e infrastrukturës civile, si institucionet mjekësore, shkollat dhe ambientet e OKB-së.
Kujtesa historike është ajo që para së gjithash lidh Bullgarinë me popullin hebre. Këtë vit u përkujtuan 82 vjet nga shpëtimi i hebrenjve bullgarë, rikujtoi kryeministri Zheljazkov.

FOTO: government.bg

“Takimi ynë është shprehje e miqësisë së gjatë dhe respektit të ndërsjellë mes Bullgarisë dhe komunitetit hebre. Ne besojmë se dialogu, kujtesa dhe bashkëpunimi janë në themel të lidhjeve tona të forta dhe të përpjekjeve për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë. Vlerësojmë qëndrimin e Bullgarisë në luftën kundër antisemitizmit dhe në mbështetje të mirëkuptimit ndërkulturor. Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë punën e përbashkët në fusha si arsimi, ruajtja e kujtesës historike dhe nxitja e tolerancës në shoqëri”, tha nga ana e tij Mark Levin, nënkryetar ekzekutiv dhe drejtor i përgjithshëm i Koalicionit Kombëtar për Mbështetjen e Hebrenjve të Euroazisë.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: government.bg

Publikoi / Publikuan: فاليا بوجيلوا