KULTURË

Artikull

"Cirkolution" në Sofje!

44 ngjarje në katër ditë - cirk modern, akrobaci ajrore dhe muzikë në zemër të kryeqytetit

Dielë, 28 Shtator 2025, 05:05

"Cirkolution" në Sofje!

FOTO: cirkolution.com

Madhësia e shkronjave

24 shfaqje të artistëve ndërkombëtarë dhe bullgarë, 15 punëtori cirku për fëmijë dhe të rritur, dy koncerte dhe një ekspozitë - "Mbretërit e Magjisë", presin banorët dhe mysafirët e Sofjes nga 2 deri në 5 tetor në kuadër të edicionit të ri të "CIRCOLUTION! Mini Art Fest 14".
Ngjarja përfshin gjithashtu një takim ndërkombëtar - një diskutim mbi zhvillimin e kulturës moderne të cirkut, në të cilin do të marrin pjesë ekspertë nga Evropa dhe Bullgaria. Është një traditë që festivali t'i japë një skenë edhe cirkut social, duke përfshirë pjesëmarrës nga fondacioni "Bota e Maria-s" në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara intelektuale, shoqata "Autizmi - arsimi, e ardhmja dhe mundësitë" dhe cirku Tvas nga Danimarka.

FOTO: cirkolution.com

Profesionistët e rinj nga skena ndërkombëtare e cirkut do të përfshihen me disa shfaqje. Midis tyre është performanca origjinale e irlandezes Hannah Scully, e frymëzuar nga stuhitë dhe vetmia e hapësirave të hapura.
Një moment tërheqës nga Bullgaria është "Cirku Folklorik" - një shfaqje në proces krijimi në bazë të bashkëveprimit midis valleve dhe muzikës popullore bullgare dhe artit bashkëkohor të cirkut.
Dhe një tjetër propozim kurioz në program - Bratan Bratanov, Ivajllo Dimitrov dhe Danny Kearns marrin pjesë në shfaqjen e vallëzimit "Tre burra në tokë të paqëndrueshme", e cila ndjek udhëtimin e tre burrave nëpër një botë të lëkundur dhe të paqëndrueshme.

FOTO: cirkolution.com

Festivali i vetëm ndërkombëtar për cirk bashkëkohor dhe social në vendin tonë premton emocione të paharrueshme – fëmijët do të argëtohen me lojëra dhe punëtori mbi disiplinat e cirkut, ndërsa të rriturit do të shijojnë shfaqje ndërkombëtare, koncerte dhe ushqime e pije të shijshme. Shumica e ngjarjeve janë falas.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: cirkolution.com

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva