LAJME

Artikull

Patriku bullgar dhe ai ekumenik u takuan në Selanik

Hënë, 29 Shtator 2025, 10:18

Patriku bullgar dhe ai ekumenik u takuan në Selanik

FOTO: bg-patriarshia.bg

Madhësia e shkronjave

Patriku i Bullgarisë, Daniill, u takua në Selanik me Patrikun Ekumenik Bartolomeu, njoftoi Patrikana Bullgare. Të dy klerikët diskutuan lidhjet shpirtërore shekullore midis Patrikanës së Kostandinopojës dhe popullit bullgar ortodoks. Ata theksuan marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira ndërmjet dy patrikanave, si dhe trajtuan çështje të tjera të bashkëpunimit ndërortodoks.
Patrikët Danill dhe Bartolomeu vunë në dukje rëndësinë e madhe të arsimit teologjik në kohët moderne. Patriku Danill shprehu shpresën që Shkolla Teologjike e Halkit, e cila është e mbyllur prej 54 vitesh në ishullin Heybeliada (më i madhi nga Ishujt e Princërve), të rihapet.
Takimi zgjati mbi një orë dhe u zhvillua në frymë vëllazërimi dhe përzemërsie. Të dy patrikët shkëmbyen dhurata simbolike, raportoi agjencia BTA.
Me ftesë të Kryepeshkopit të Athinës dhe të gjithë Greqisë, Ieronimit II, Patriku bullgar Daniill mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare në Selanik, e cila iu kushtua 100-vjetorit të revistës “Teologjia”.
Gjatë vizitës së tij, Patriku Danill u takua gjithashtu me ministren e Arsimit dhe Çështjeve Fetare të Greqisë, Sofia Zaharaki.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: bg-patriarshia.bg

Publikoi / Publikuan: فاليا بوجيلوا