Artikull
Një bullgar nga flotilja humanitare për Gazën u ndalua nga Izraeli
Enjte 2 Tetor 2025 12:52
Enjte, 2 Tetor 2025, 12:52
Një pamje nga videoja e postuar në mediat sociale nga flotilja pro-palestineze
FOTO: EPA/BGNES
Madhësia e shkronjave
Një bullgar, pjesë e flotiljes humanitare për Gazën, është midis të ndaluarve nga Izraeli, u bë e qartë nga një postim në kanalin zyrtar të mediave sociale të flotiljes. Marina izraelite kapi anije nga flotilja humanitare “Global Sumud”.
"Emri im është Vasill Dimitrov dhe jam nga Sofja, Bullgari. Nëse po e shikoni këtë video, jam rrëmbyer nga forcat pushtuese izraelite dhe po më mbajnë kundër vullnetit tim. I thoni qeverisë sime të ndalojë bashkëpunimin e saj me Izraelin dhe të më çojë në shtëpi. Ndaloni gjenocidin në Gaza", thotë bullgari në pamjet e publikuara.
Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme ka monitoruar zhvillimet në lidhje me të ashtuquajturën “Flotilja Globale Sumud” që nga largimi i saj, informoi ministria. “Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi menjëherë autoritetet izraelite se midis qytetarëve të huaj në bordin e njërës prej anijeve, pjesë e flotiljes, është edhe një shtetas bullgar. Ambasada Bullgare në Tel Aviv ka kërkuar qasje konsullore te shtetasi bullgar, si dhe garanci për respektimin e të drejtave të tij”, thuhet në deklaratë.
“Vetë pjesëmarrësit janë të vetëdijshëm se në Izrael është shpallur gjendje ushtarake, kështu që rreziku merret me vetëdijen e tyre. Do të kemi më shumë informacion kur konsulli ynë të vizitojë Vasill Dimitrovin”, komentoi kryeministri Rosen Zheljazkov nga Kopenhaga.
Ministria e Jashtme izraelite njoftoi se do të deportojë në Evropë të gjithë aktivistët që ishin në bordin e anijeve të flotiljes të ndaluara nga forcat detare izraelite, raportoi BNR.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: EPA/BGNES
Publikoi / Publikuan: إيليانا رايتشيفا