LAJME

Artikull

Bullgarët do të vazhdojnë të punojnë për pagën minimale më të ulët në BE

Martë, 7 Tetor 2025, 09:01

Bullgarët do të vazhdojnë të punojnë për pagën minimale më të ulët në BE

FOTO: arkiv

Madhësia e shkronjave

Shuma neto e pagës minimale nga viti 2026 do të jetë 970 leva (467 euro), ndërsa brutoja – 1287 leva (620 euro). Ajo do të jetë më e ulëta në të gjithë Bashkimin Evropian. Këtë e deklaroi për bTV Pllamen Dimitrov, president i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura në Bullgari (KNSB).
Maria Minçeva, nënkryetare e Dhomës Ekonomike të Bullgarisë, theksoi se kjo do të jetë një pagë minimale për një person pa përvojë pune dhe pa shtesa për stazh. Ajo kundërshtoi qëndrimin e KNSB-së me argumentin se produktiviteti i punës në Bullgari është gjithashtu më i ulëti në BE. "Produktiviteti duhet të udhëheqë ekonominë, jo vetëm rritja e konsumit", tha Minçeva dhe kërkoi ndryshimin e formulës për llogaritjen e pagës minimale.
Sipas të dhënave nga Eurostat, paga minimale është vetëm 40% e pagës mesatare, tha Dimitrov. Edhe ky është raporti më i ulët në BE. Kudo tjetër është mbi 50%, shtoi ai. Sipas sindikalistit, në tre vitet e fundit ka pasur një nivel rekord punësimi dhe deri tani të ardhurat mezi arrijnë të ndjekin inflacionin.

Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv