Artikull
Jehona e zgjedhjeve parlamentare në Moldavi:
Bullgarët dhe gagauzët në Moldavi janë të rezervuar ndaj perspektivës evropiane të vendit
Analistë moldavë komentojnë veçantitë e preferencave politike të pakicave dhe rolin e Bullgarisë
Martë 14 Tetor 2025 04:20
Martë, 14 Tetor 2025, 04:20
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
Zgjedhjet parlamentare në Republikën e Moldavisë të mbajtura më 28 shtator 2025 shënuan një fitore vendimtare për partinë në pushtet – Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS). Rezultati u interpretua nga shumëkush si një konfirmim i kursit pro-evropian të vendit, në sfondin e luftës hibride me Rusinë.
Për të kuptuar ndarjet e brendshme në shoqërinë moldave që shoqëruan këtë fitore, iu drejtuam dy analistëve të njohur. Mihaill Sirkeli, themelues i medias Nokta, gagauz me shtetësi bullgare dhe komentator i njohur i jetës politike, thekson nevojën gjeopolitike për suksesin zgjedhor të PAS-it. Nga ana tjetër, bullgari besarab Aleksandër Llambov, doktorand në shkencat politike në Universitetin për Ekonomi Kombëtare dhe Botërore dhe studiues i qëndrimeve në Moldavinë e Jugut, përqendrohet në reagimin e komuniteteve bullgare dhe gagaueze, të cilat tradicionalisht votojnë kundër drejtimit pro-evropian.
FOTO: ЕПА/БГНЕС
Euro-skepticizmi i bullgarëve dhe gagausëve
Pavarësisht suksesit kombëtar të PAS-it, Moldavia e Jugut– ku jetojnë komunitete të përqendruara të bullgarëve dhe gagausëve – vazhdon të mbetet një bastion elektoral i forcave pro-ruse.
Aleksandër Llambov, duke folur për reagimin e komunitetit bullgar në Moldavi, thekson se rezultatet nuk janë të papritura (rreth 80% e votuesve në Taraklia dhe në Gagauzi kanë mbështetur bllokun opozitar Patriotik), pasi në rajonin e Taraklisë, PAS nuk ka arritur asnjëherë të marrë më shumë se 10% të votave.
FOTO: БТА
Të dy analistët ofrojnë shpjegime të ngjashme, por që plotësojnë njëri-tjetrin, për këtë ndarje të thellë midis Qendrës (Kishinau) dhe Jugut.
Mihaill Sirkeli thekson identitetin e këtyre komuniteteve gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik, duke theksuar se ato nuk e shohin as Moldavinë, as Bullgarinë dhe as Turqinë si atdheun e tyre, por më tepër Bashkimin Sovjetik. Ai përmbledh se Rusia kontrollon gagauzët dhe bullgarët përmes dy mekanizmave kryesorë:
Михаил Сиркели
FOTO: Владимир Митев
“Rusia kontrollon si gagauzët, ashtu edhe bullgarët, përmes dy gjërave: frikës dhe urrejtjes… Frika lidhet me idenë se do të vijnë rumunët – një mit propagandistik. Ata urrejnë pushtetin pro-evropian, urrejnë Maia Sandu, sepse nuk është e martuar, nuk ka fëmijë, ‘është pro Evropës’, ‘është rumune’ e kështu me radhë” – shpjegon Sirkeli. Përveç kësaj, ai shton edhe një dështim institucional: paaftësia e shtetit moldav gjatë 35 viteve të fundit për të integruar komunitetet përmes mësimit të gjuhës rumune në një nivel të mirë.
Мая Санду
FOTO: АП/БТА
Aleksandër Llambov thellon analizën duke paraqitur të dhëna nga studimet e tij me grupe fokusi në Taraklia, të cilat zbulojnë thelbin e euroskepticizmit. Sipas tij, PAS perceptohet si një forcë mjaft e djathtë nga pikëpamja politike, me një prirje të lehtë nacionaliste, gjë që i largon automatikisht pakicat etnike.
Sipas fjalëve të tij, pritshmëritë e bullgarëve nuk përputhen me kursin pa kushte pro-evropian të shumicës rumunishtfolëse në Republikën e Moldavisë. Ata e shohin integrimin evropian si një “e mirë e kushtëzuar”, domethënë e pranueshme vetëm nëse sjell përmirësim të menjëhershëm në jetën ekonomike. Përndryshe, mbështetja për këtë proces bie.
Александър Ламбов
FOTO: Владимир Митев
“Bullgarët besarabë e shohin integrimin evropian si një përballje midis BE-së dhe BRSS-së. Shumë prej tyre e shohin fundin e periudhës sovjetike (vitet '80) si fundin e një epoke lulëzimi për rajonin... Kjo periudhë, disi mitike, vihet përballë me realitetin e sotëm” – shpjegon Aleksandër Llambov.
Ai shton gjithashtu se euroskepticizmi ka edhe rrënjë të forta konservatore, të lidhura me tolerimin e lëvizjeve LGBT në BE, çka perceptohet si një kërcënim ndaj vlerave tradicionale.
Në këtë mënyrë, duket se në këtë fazë, për rajonet jugore, mungesa e mbështetjes për PAS nuk është thjesht çështje rusofilie, por më tepër një mospërputhje mes profilit politik të qeverisjes dhe pritshmërive socio-ekonomike e kulturore të pakicave.
FOTO: БТА
Roli i Bullgarisë
Të dy ekspertët shqyrtojnë rolin e mundshëm të Bullgarisë në kapërcimin e euroskepticizmit në Moldavinë e Jugut, veçanërisht pas hapjes së filialit të Universitetit të Ruses "Angell Kënçev" në Taraklia.
Sirkeli është skeptik lidhur me ndikimin e shpejtë mbi identitetin:
“Nuk e di nëse ky universitet do të mund të ndryshojë ndonjë gjë në nivel identiteti. T’u thotë bullgarëve se janë bullgarë, jo rusë... Duhet bërë diçka për çështjen e identitetit. Mendoj se Bullgaria duhet të zgjerojë programet e shkëmbimeve dhe të jetë ajo ura lidhëse.”
FOTO: aa.com.tr
Llambov konfirmon se Republika e Moldavisë mbështetet te Bullgaria për ta ndihmuar në ‘kapërcimin e euroskepticizmit’, pasi Bullgaria gëzon autoritet të madh mes bullgarëve besarabë. Megjithatë, ai thekson se ky autoritet nuk përkthehet në mbështetje politike:
“Bullgaria është e dashur për ta, sepse ajo realizon projekte, mbështet të rinjtë përmes Vendimit Nr. 103 të Këshillit të Ministrave, përmes së cilit studentët besarabë studiojnë në universitetet bullgare... por gjithsesi është e vështirë të ndikojë politikisht, të ndryshojë qëndrimin politik të njerëzve.”
Kontradikta kyçe që pengon ndryshimin është llogaria politike për PAS-in: plotësimi i kërkesave të bullgarëve dhe gagauzëve “mund të çojë në humbje elektorale për PAS në Kishinau” (sipas Llambovit). Kjo krijon një situatë ku Qendra (Kishinau) dhe Jugu (Taraklia/Gagauzia) mbeten në një gjendje të "kontradiktës së pakapërcyeshme".
FOTO: АП/БТА
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: AP/BTA, EPA/BGNES, BTА, Vladimir Mitev, aa.com.tr
Publikoi / Publikuan: St. Pavlov