Më 19 tetor nderojmë kujtimin e mbrojtësit qiellor të Bullgarisë – Shën Joan Rillski, Çudibërësi. Ai është themeluesi i Manastirit të Shenjtë të Rillës – qendra më e madhe dhe me ndikimin më të madh shpirtëror në Bullgari.
Mendohet se Joan Rillski ka lindur gjatë kohës së mbretit Petër I, rreth vitit 876, në fshatin Skrino, afër qytetit të sotëm të Dupnicës. Para se të bëhej murg në manastirin “Shën Dhimitri” në malin Vllahina, ai jetonte si bari. Pasi mori edukimin shpirtëror në atë manastir, shpërndau gjithçka që kishte tek të varfrit. Më pas jetën e kaloi në vetmi, agjërim dhe lutje, duke jetuar në vende të ndryshme, derisa më në fund u vendos në shkretëtirën e Rillës, siç quhej atëherë mali i Rillës, sepse ishte i pabanuar dhe i mbushur vetëm me kafshë të egra. Aty qëndroi deri në fund të jetës së tij, ku së bashku me disa ndjekës të tij themeloi manastirin – simbolin e lartësimit shpirtëror dhe ndriçimit bullgar. Që sa ishte gjallë, fitoi famë si shërues dhe mrekullibërës, dhe për shkak të lutjeve të tij për të sëmurët dhe të vuajturit, mjekët bullgarë e zgjodhën si mbrojtësin e tyre.
Shenjtori i dashur bullgar është i njohur në gjithë botën ortodokse për ndihmën e tij të bekuar ndaj të sëmurëve dhe të vuajturve, si dhe për jetën e pastër dhe të shenjtë që ka jetuar. Ai ka frymëzuar shumë persona të fesë ortodokse, si Shën Joani i Kronstadit, i cili themeloi një manastir në emrin e tij dhe shkroi një akathist në nder të tij.
Eshtrat çudibërëse të shenjtorit të madh bullgar, të cilat prehen në Manastirin e Rillës, tërheqin pelegrinë nga e gjithë bota dhe rrjedha e besimtarëve nuk pushon. Aty ruhen edhe dëshmitë për mrekullitë e shumta që ai ka kryer, si gjatë jetës, ashtu edhe pas vdekjes së tij.
Testamenti i tij, drejtuar nxënësve dhe ndjekësve të tij, është një shembull i gjallë për ruajtjen e vlerave ortodokse.
Sot,
Manastiri i Shenjtë i Rillës është manastiri më i madh në Bullgari, i cili feston solemnisht ditën e shenjtë të tempullit të tij tri herë në vit. Këto janë tre data të rëndësishme që përkujtohen me nderim dhe përkushtim në të gjitha kishat në mbarë vendin: 1 korrik – dita e sjelljes së eshtrave të Shën Joani Rillskit në manastir, 18 gusht – fjetja e tij, 19 tetor – transferimi i eshtrave të shenjtit nga Sredeci në Tërnovo.
Në nder të tij janë ndërtuar shumë kisha dhe manastire, ndërsa në Rusi madje ekziston edhe një qytet që mban emrin e tij – Rilsk.
Më shumë rreth shenjtorit më të nderuar bullgar, mund të lexoni në faqet e Radio Bullgarisë.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: rilskimanastir.org, BTA