Në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimeve Letrare Mbarëkombëtare “At’ Gjergj Fishta”. Ky edicion i çmimeve, tashmë me pesë vite traditë, vlerëson veprat më të spikatura të letërsisë shqipe në një hapësirë mbarëkombëtare. Juria, e përbërë nga poeti Rudolf Marku, pedagogia Erenestina Gjergji dhe gazetari Bajram Kosumi, vlerësoi dhe përzgjodhi me kujdes fituesit e merituar.
Çmimi në kategorinë e prozës iu dha Ermal Hasimjes për romanin “E shkuar e pakryer”, çmimi i poezisë i takoi Lulzim Tafës për vëllimin “Ekspozitë me ëndrra”, ndërsa
çmimi për përkthimin më të mirë për vitin 2024-2025 iu dha Milena Selimit, për romanin “Kohëstrehim” të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov (botuar nga Toena). Ky është çmimi i dytë kombëtar për veprën dhe përkthyesen.
Në sallën plot me të rinj që ruajnë zërin e Gjergj Fishtës dhe trashëgiminë e vargjeve të tij të mrekullueshme, Milena mbajti një fjalë duke theksuar rëndësinë e këtij çmimi për rrugëtimin e saj të gjatë 20-vjeçar dhe duke përmendur lidhjet ndërkulturore që letërsia mund të krijojnë:
“Jo rastësisht dy autorët janë takuar sot, meqë nuk kanë asnjë shans të takohen në jetën fizike, sepse Gjergj Fishta është kronist i shpirtit shqiptar. Georgi Gospodinov gjithashtu është një Gjergj tjetër, kronist i shpirtit bullgar. Kështu që më duket një përkim i rastësishëm, por që është shumë i bukur, që këta dy autorë takohen sot nëpërmjet fjalës dhe gjuhës”.
Selimi nuk harroi të falenderojë dhe prindërit e saj:
“Faleminderit babait tim, Skënder Selimi, që mësoi Gjergj Fishtën dhe unë frymova me Lahutën e Malcis. Do të doja ta falenderoja edhe mentoren time, nënën time,
Janka Selimi, një bullgare e cila ka dhënë kontribut për gjuhën shqipe dhe bullgare. Unë jam një njeri me dy kultura:
marr gjuhën e mëmëdheut që është gjuha bullgare dhe pasuroj gjuhën shqipe, që është gjuha e atdheut tim”.
Fjalimin e saj emocionues Milena e përfundoi duke cituar disa fjalë të Georgi Gospodinov i cili thotë “Чудото на езика” – pra mrekullia e gjuhës: “Sot jemi këtu, të gjithë bashkë, vetëm nga mrekullia e gjuhës”. – përmbylli ajo.
Lexoni më tepër:
Foto: Facebook/ Milena Selimi, Facebook/ Liridon Mulaj