Luiza Vanbal është punonjëse në Ministrinë e Ekonomisë së Gjermanisë. Fija e padukshme që e lidh të renë gjermane me Bullgarinë është dashuria e saj për gjuhën bullgare.
Luiza tregon se në universitet ka studiuar gjuhën dhe kulturën frënge, por i pëlqejnë shumë gjuhët sllave dhe fillimisht ka filluar të mësojë rusisht. Në vitin 2018, gjatë një udhëtimi në Bullgari, duke udhëtuar nëpër vendin tonë, Luiza u dashurua me gjuhën bullgare. Dhe, siç duket, ky nuk ishte një pasion i përkohshëm. E reja gjermane i ka vënë vetes qëllim ta mësojë mirë gjuhën tonë dhe çdo të shtunë në Berlin ndjek një kurs të gjuhës bullgare. Ajo thotë se gjuha nuk është e lehtë dhe pranon se më shumë e vështirësojnë foljet dhe fakti që në bullgarisht nuk ka rasa gramatikore, si në gjermanisht apo rusisht.
E reja tregon se merr mbështetje nga familja dhe miqtë e saj, të cilët e kuptojnë dëshirën e saj për të mësuar një gjuhë që nuk është shumë e njohur, dhe ka plane që në të ardhmen të ndryshojë profesionin dhe të merret me mësimdhënie.
“Dua të ndryshoj karrierën time. Dua të bëhem mësuese e gjuhës gjermane për studentë të huaj. Përvoja ime e tanishme do të më ndihmojë t’i kuptoj më mirë studentët që mësojnë një gjuhë të vështirë si gjermanishtja,” thotë Luiza.
Bukurinë e gjuhës bullgare gjermanja e përshkruan kështu:
“E dua alfabetin, tingullin e gjuhës dhe këtë përzierje të fjalëve sllave, greke, turke dhe disa franceze.”
A ka mësuar e reja gjermane më shumë për historinë, kulturën dhe mentalitetin e bullgarëve falë gjuhës?
“Më pëlqen që njerëzit janë mikpritës. Janë shumë të hapur, por u duhet pak më shumë kohë për t’u njohur me njerëz të rinj. Në fillim janë më të rezervuar,” ndan përshtypjet e saj Luiza Vanbal.
Gjermanja thotë se ende nuk guxon të lexojë libra në gjuhën bullgare, por shpreson që së shpejti edhe kjo të ndodhë.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: arkiva personale