KULTURË

Artikull

Ekspozitë për “Iluministet e patrembura” – gratë bullgare që u thanë “jo” rregullave

Shtunë, 1 Nëntor 2025, 06:00

Ekspozitë për “Iluministet e patrembura” – gratë bullgare që u thanë “jo” rregullave

FOTO: momichetata.com

Madhësia e shkronjave

Më 1 nëntor – Ditën e Iluministëve Kombëtarë, sheshi “Gina Kunçeva” në Sofje gjallërohet në një mënyrë të pazakontë. Që nga ora 12:00, Bashkia e Rajonit “Oborishte” dhe Fondacioni “Iluministet” hapin muzeun e parë interaktiv në ambient të hapur në vend, me titull “Këto janë Iluministet e Bullgarisë”. Në zemër të qytetit, mes kalimtarëve të ngutshëm, 14 stola “tregojnë” historitë e grave të jashtëzakonshme që kanë lënë gjurmë të thellë në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit.

FOTO: momichetata.com

Çdo stol mban emrin e një prej zgjuesve bullgare dhe një kod QR që të çon drejt një platforme online me biografitë e tyre në bullgarisht dhe anglisht. Banorët e Sofjes dhe vizitorët e kryeqytetit do të mësojnë se cila ishte gruaja e parë bullgare që e bëri vendin të njohur në botë, arkitektja e parë bullgare, bashkëkombësja e parë që luftoi për të drejtën e votës, fizikantja e parë e energjisë bërthamore dhe shumë pioniere të tjera që guxuan të thyejnë rregullat e kohës së tyre. Ndër to janë Ekaterina Karavellova, Julia Malinova, Mara Bellçeva, Ana Karima, Jana Jazova, Kostanca Ljapçeva dhe Gina Kunçeva – nëna e Apostullit të Lirisë, emrin e së cilës e mban edhe sheshi.
Qëllimi i ekspozitës është të çojë vëmendjen drejt kontributit të grave në zgjimin kombëtar – shpesh të harruar në tregimet historike.

FOTO: momichetata.com

Sot në ditën e hapjes, vullnetarët nga “Free Sofia Tour” do t’i udhëheqin të pranishmit në një shëtitje midis “stolave që flasin”, e shoqëruar me fotografi dhe dokumente të ofruara nga Agjencia Shtetërore e Arkivave. Në këtë mënyrë, hapësira urbane shndërrohet në një skenë kujtese dhe frymëzimi – në nder të grave që ndezën shpirtin e Bullgarisë.
Lexoni më tepër: 
Përpiloi: Veneta NikollovaPërgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: momichetata.com