HISTORI

Artikull

Politikanë, diplomatë dhe ushtarakë – heronjtë e një muzeu të ri në Sofje

Dielë, 2 Nëntor 2025, 06:00

Politikanë, diplomatë dhe ushtarakë – heronjtë e një muzeu të ri në Sofje

Madhësia e shkronjave

"Për mua periudha nga Çlirimi deri në vitin 1944 është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e vlefshme, sepse mendoj se atëherë Bullgaria ka qenë në rrugën e drejtë të zhvillimit të saj. Ka pasur shumë personalitete me virtyte dhe vlera të jashtëzakonshme, të cilat na mungojnë sot. Dua që si fëmijët, ashtu edhe të rriturit, të shohin sendet që kam mbledhur dhe mbi të gjitha të dëgjojnë historitë pas tyre, të mësojnë më shumë për këta njerëz të denjë" – ndan në një nga intervistat që jep këtë vit bashkëbiseduesi ynë Filip Milanov.
Takimi ynë me të u nxit para së gjithash nga kureshtja – a është e mundur që një njeri i zakonshëm sot të mbledhë, ruajë dhe sistemojë një koleksion të jashtëzakonshëm për nga pasuria e tij, me artefakte dhe dokumente ushtarako-historike, të lidhura me personalitete që kanë jetuar dhe kanë kontribuar për zhvillimin dhe lulëzimin e Mbretërisë së Tretë Bullgare, në periudhën nga Çlirimi deri më 9 shtator 1944. Një nga pikat kryesore të ekspozitës, e vendosur në hapësirën “Shtabi i Sofjes”, janë objektet që kanë qenë në pronësi të kryeministrit të qeverisë së 14-të të vendit, Konstantin Stoillov:

FOTO: Йоан Колчев

"Me mikun tim Kamen Çipev gjetëm një pistoletë në bodrumin e shtëpisë së stërgjyshit të tij Konstantin Stoillov. Ajo rezultoi të ishte e vetmja në botë, e porositur prej tij në Paris, në firmën 'Ferdinand Klodin', e cila prodhonte armë për personalitete mbretërore. Ai e porosit këtë pistoletë, e cila ka këmbëz të fshehtë dhe të gjitha kërkesat që kishte Stoillovi. Para se të nikelizohej, në dorezën e saj është gdhendur emri i kryeministrit të ardhshëm. Ai e zbulon këtë firmë kur, duke u kthyer nga Heidelbergu, vendoset për rreth një vit në Paris, për shkak të shpërthimit në vendin tonë të Luftës Çlirimtare Ruso-Turke më 1877."
Gjatë restaurimit të armës, që u realizua në Shën Petersburg, Filipi mëson vlerën historike të objektit, si dhe çmimin e tij, gjë që menjëherë e shtyn të përpiqet ta kthejë atë te miku i tij Kamen. Ai refuzon kategorikisht ta marrë. Një incident në mal, që i merr jetën mikut të tij, e bind Milanovin të përmbushë betimin e dhënë para tij – të krijojë një vend ku kjo kujtesë të ruhet dhe të mbetet për brezat e ardhshëm.

FOTO: Йоан Колчев

Përveç armës, në muze ruhet edhe një kuti e veçantë për letra, që ka qenë në pronësi të kryeministrit Konstantin Stoillov:
"Kutia ka ruajtur korrespondencën e përditshme midis tij dhe princit Batenberg. Ajo ka dy çelësa, dhe si korrier e ka bartur një person ndërmjet tyre. Mbi të është vendosur edhe monogrami i princit, dhe ajo ka përcjellë shumë mesazhe të rëndësishme midis të dyve. Kemi edhe një arkë, e bërë shumë bukur nga copëza të holla kashte, të vendosura si mozaik, që i është dhuruar nga Komuna e Sofjes pas shpalljes së Sofjes kryeqytet të Principatës së Bullgarisë."

FOTO: Йоан Колчев

Ndër artefaktet gjenden shumë dokumente, fotografi, ikonostasi personal i Konstantin Stoillovit, si dhe një kostum i plotë, bashkë me orën personale, e dhuruar nga princi Ferdinand.
Një tjetër pikë kryesore e ekspozitës janë sendet që kanë qenë në pronësi të vëllezërve Krum dhe Stefan Çaprashikov.

FOTO: личен архив

"Kemi dy uniforma të Stefan Çaprashikovit. Njëra është ajo me të cilën ka qenë sekretar i Kabinetit të Fshehtë të mbret Ferdinandit për 8 vjet, si dhe shumë prej dekoratave që i janë dhënë si diplomat nga monarkë të ndryshëm evropianë të asaj kohe. Ne posedojmë edhe uniformën me të cilën ai ka qenë diplomat gjatë luftërave për bashkimin kombëtar, në pikat më të nxehta të kohës – Serbi, Rumani dhe Greqi. Gjatë Revolucionit të Tetorit në vitin 1917 ka qenë në Moskë, prej nga janë ruajtur shumë dokumente interesante që mund të shihen, së bashku me objekte të tjera që kanë qenë në pronësi të familjes."

FOTO: Йоан Колчев

Një uniformë roje për fëmijë, e veshur nga mbreti Simeon II para vitit 1946, është gjithashtu pjesë e koleksionit të muzeut. Ajo është vendosur mes uniformave të pilotëve që kanë mbrojtur Sofjen gjatë bombardimeve të vitit 1945 dhe të tjera. "Ekspozita fsheh edhe surpriza të tjera" – thekson bashkëbiseduesi ynë:
"Kemi edhe pjesën nëntokësore, e cila është e preferuara e fëmijëve nga shkollat e lagjes dhe zonës. Aty ndodhet dhoma e lidhjeve, spitali ushtarak dhe hapësira të tjera të lidhura me historinë tonë ushtarake."

FOTO: Йоан Колчев

Ndër eksponatet që pritet të zënë vend në muze janë dokumente dhe objekte të lidhura me kundëradmiralin Sava Ivanov – komandantin e flotës së mbretit Boris III. Ai është autor i mbi 400 artikujve në revista të huaja, kushtuar çështjeve detare. Përveç tyre, muzeu ruan edhe sende të ushtarakut Todor Obreshkov, pjesëmarrës në Luftën Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore. Ai është kthyer nga frontet me një arkiv fotografik të jashtëzakonshëm, nga i cili Filipi shpreson të përgatisë një ekspozitë, si dhe me kujtime që janë ruajtur dhe që ndoshta së shpejti do të botohen.

Тодор Обрешков

FOTO: Facebook /Софийски Щаб

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: arkiv personal, Facebook / Shtabi i Sofjes