Kirill Kutin – konsulli i parë nderi i Bullgarisë në Norvegji

Pianisti dhe menaxheri i suksesshëm e përkufizon atdheun e tij si “një thesar kulture”

Martë, 4 Nëntor 2025, 05:00

Kirill Kutin – konsulli i parë nderi i Bullgarisë në Norvegji

FOTO: Facebook /Bulgarsk Kulturforening Rogaland

Madhësia e shkronjave

Më 24 tetor, me një ceremoni zyrtare dhe koncert festiv në qytetin norvegjez Stavanger, u hap Konsullata e Nderit e Bullgarisë në Norvegji. Konsulli i parë i nderit është pianisti Kirill Kutin, i cili gjatë dy dekadave të fundit është afirmuar si një personalitet me autoritet në shoqërinë norvegjeze. Muzikanti është themelues dhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Klaviaturës në Stavanger – i vetmi i këtij lloji në Norvegji, ku marrin pjesë pianistë të njohur nga e gjithë Evropa.

FOTO: Посолство на България в Осло

Kutin ka një karrierë të konsiderueshme, ka luajtur në shumë vende evropiane, në Lindjen e Mesme dhe në Kinë. Ai ka lindur në Bllagoevgrad dhe ka përfunduar me medalje të artë Shkollën Kombëtare Muzikore “Ljubomir Pipkov” në Sofje. Në Akademinë Kombëtare Muzikore “Prof. Panço Vlladigerov” ka studiuar në klasën e njërit prej pedagogëve më të njohur bullgarë të pianos – prof. Stella Dimitrova-Majstorova. Ka bërë specializim për piano edhe në Universitetin e Stavangerit. Është fitues i konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht Kutin është drejtor artistik i shoqatës Kutin Konsert Forening, e cila organizon koncerte klasike në Norvegji, Suedi, Danimarkë, Gjermani dhe Austri.
Ekskluzivisht për Radio Bullgarinë, Kirill Kutin ndan hollësi rreth përzgjedhjes së tij si konsull nderi:

FOTO: Посолство на България в Осло

“Kjo është konsullata e parë e nderit në Norvegji, deri tani nuk ka pasur. Shkëlqesia e saj, ambasadorja Dimitrova, ishte e ftuar në festivalin që unë organizoj. Në bisedat paraprake ajo përmendi se kishte nevojë për ndihmën time për të gjetur një konsull nderi të Bullgarisë në Norvegji. Duhej të ishte një qytetar norvegjez me pozita të larta në shoqëri. Unë u përpoqa, gjeta disa kandidatë, por pas disa ditësh ajo më njoftoi se tashmë e kishte gjetur konsullin e nderit dhe se duhej t’i anulojmë takimet. Kjo për mua ishte disi befasuese, sepse kisha punuar shumë për të organizuar këto takime me njerëz të rëndësishëm nga Stavanger. Por ajo tha: ‘Po, unë e kam gjetur konsullin e nderit, dhe ai jeni ju.’ E gjithë ideja vjen nga ambasadorja e Bullgarisë në Oslo – Desisllava Dimitrova.”

FOTO: Посолство на България в Осло

Në Norvegji, Kirill Kutin ka mbërritur… krejt rastësisht. Ai nisi nga zero. Në fillim jepte mësime private për piano dhe luante në kisha. U desh të ushtronte edhe profesione të tjera – kuzhinier, berber – ndërkohë që udhëtonte dhe jepte koncerte në gjithë Norvegjinë. Në vitin 2016 themeloi Shoqatën Koncertale Kutin (Kutin Konsert Forening) – një organizatë jofitimprurëse që synon të promovojë artin klasik në Stavanger. Fokusi kryesor është prezantimi i muzikantëve vendas, të cilëve u mungon mjaft hapësira për t’u shprehur. Edicioni i parë u zhvillua në vitin 2023. “Pata fatin dhe privilegjin e madh të kem muzikantë të mrekullueshëm, të cilët dëshironin të mbështesnin festivalin, të luanin. Nga ana bullgare mora një mbështetje të jashtëzakonshme – jo vetëm si artist, por edhe si njeri – nga Pllamena Mangova.”
Shkolla bullgare e pianos është shumë e fortë, kemi pianistë të shkëlqyer, të realizuar në mbarë botën. Cilin prej tyre e ka ftuar dhe do ta ftojë në Stavanger?
“Bullgaria është një thesar i vërtetë. Dhe ne, muzikantët që jemi jashtë Bullgarisë, s’mund të mos përfitojmë nga ky thesar. Do të përmend disa emra që tashmë kanë luajtur në festival me sukses të jashtëzakonshëm. Më kanë bërë të ndihem jashtëzakonisht krenar që jam bullgar. Këta janë: Ivajlla Caçeva, Galin Gançev, Martin Ivanov (ai është në Vienë), Simeon Goshev, e mrekullueshmja Kristina Sandulova nga Amsterdami. Kam shumë ide të mëdha për të ardhmen. Tashmë kam folur me Viktoria Vasilenko, kam një dëshirë të madhe që ajo të vijë të luajë në festival. Kam biseduar me Georgi Çerkin, Evgeni Bozhanov, Nadezhda Canova, Ljudmill Angellov. Këta janë njerëz që e përfaqësojnë Bullgarinë në dritën më të mirë – çdo orë, çdo çast.”

Në përfundim, konsulli i parë i nderit i Bullgarisë në Norvegji ndan se me çfarë e lidh më shumë atdheun:
“Së pari e lidh me një thesar kulture. Së dyti – me vendin që më ka formuar si person. Aty janë rrënjët e mia. Dhe së treti – me një vend me natyrë të jashtëzakonshme.”

FOTO: Facebook /Кирил Кутин

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Facebook /Bulgarsk Kulturforening Rogaland, Ambasada e Bullgarisë në Oslo, Facebook /Kyril Kutin, Facebook /Hummeren Hotell, Stavanger International PIANO Festival