Bullgaria po forcon masat e sigurisë tokësore, ujore dhe ajrore – përfshirë një sistem mbrojtjeje kundër dronëve – për objektet e kompanisë “Lukoil” në territorin e saj, njoftoi shërbimi i shtypit i qeverisë. Agjencia Shtetërore për Siguri Kombëtare (DANS) hyri në zyrat e degëve të “Lukoil”-it në vend dhe në rafinerinë e naftës në Burgas, duke nisur kontrolle. Masat shtesë “parandaluese” po merren nga DANS-i, policia dhe ushtria “në lidhje me situatën e re të krijuar pas vendimit të SHBA-ve për të vendosur sanksione ndaj kompanisë ruse “Lukoil” dhe në kontekstin e incidenteve në objektet e “Lukoil”-it në disa shtete evropiane”, sqaroi qeveria.
Ministri i ekonomisë, Petër Dillov, siguroi se Bullgaria do të marrë një përjashtim nga sanksionet amerikane për rafinerinë e “Lukoil”-it, ngjashëm me atë që arriti të përfitojë Hungaria. “Situata mes Hungarisë dhe Bullgarisë është shumë e ndryshme, sepse ata punojnë me naftë ruse dhe nuk kanë mundësi teknike të furnizohen me diçka tjetër. Ne, ndërkaq, prej më shumë se një viti nuk punojmë më me naftë ruse. Ne kërkojmë një derogim nga këto sanksione për të vazhduar funksionimin e rafinerisë. Jam plotësisht i sigurt se do ta marrim”, tha ministri për bTV. Ai siguroi gjithashtu se të gjitha masat janë ndërmarrë në mënyrë që të mos ketë krizë karburantesh në vend.
Lexoni më shumë mbi temën në arkivin e Radio Bulgarisë:
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: AP/BTA