LAJME

Artikull

GERB: "Punëdhënësit duan TVSH më të lartë", punëdhënësit: "Nuk ka një ide të tillë!"

Martë, 11 Nëntor 2025, 14:26

GERB: "Punëdhënësit duan TVSH më të lartë", punëdhënësit: "Nuk ka një ide të tillë!"

FOTO: Facebook/GERB

Madhësia e shkronjave

Qeveritarët nuk parashikojnë ndryshime në projektbuxhetin shtetëror të shpallur tashmë për vitin 2026. Kjo u bë e qartë pas një takimi të udhëheqësve të dy sindikatave më të mëdha në vendin tonë, Konfederatës së Sindikatave Bullgare (KNSB) dhe Konfederatës së Punës “Podkrepa”, Pllamen Dimitrov dhe Dimitër Manollov, me kryetarin e partisë GERB, Bojko Borisov, raportoi gazetarja Maria Kostova. Sindikatat e përcaktuan buxhetin e parë të Bullgarisë në euro si "të mundshëm".
Në takim morën pjesë edhe kryetarja e komisionit social parlamentar, Denica Saçeva, dhe Ministrja e Financave, Temenuzhka Petkova. Saçeva theksoi: "Jo, nuk ka ndryshime në këtë fazë, pasi ajo që u propozua nga punëdhënësit ishte rritja e TVSH-së në vend të rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kjo nuk përputhet me konsensusin politik brenda partive që do të mbështesin buxhetin".
Megjithatë, organizatat e punëdhënësve mohuan se kishin propozuar një rritje të TVSH-së. "Nuk ekziston një ide e tillë. Ne nuk mund të mbështesim një ide që çon në një rritje të kësaj barre, si për biznesin ashtu edhe për qytetarët, për të mos përmendur që ky është një propozim jashtëzakonisht inflacionist. Ne nuk kemi pasur biseda të tilla me Ministrinë e Financave dhe asnjë masë e tillë nuk është diskutuar", tha Stanisllav Popdonçev, nënkryetar i Dhomës Industriale Bullgare, në emër të organizatave të punëdhënësve. Javën e kaluar, bizneset e përshkruan buxhetin e ri si joadekuat.
Lexoni më shumë në arkivin tonë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: Facebook/GERB