“Mënyra më fisnike”

KULTURË

Artikull

Në Riga prezantohet një ekspozitë me rastin e 140-vjetorit të Bashkimit të Bullgarisë

Martë, 11 Nëntor 2025, 18:00

Në Riga prezantohet një ekspozitë me rastin e 140-vjetorit të Bashkimit të Bullgarisë

FOTO: Iskra Boneva

Madhësia e shkronjave

Në kryeqytetin e Letonisë, Riga, është paraqitur një ekspozitë e posaçme e dedikuar 140-vjetorit të Bashkimit të Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore.
“Mënyra më fisnike” është motoja e Bashkimit të Bullgarisë në vitin 1885, i cili u realizua në emër të bashkimit kombëtar, pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve të mëdha – kujton në një njoftim për Radio Bullgarinë znj. Iskra Boneva, anëtare e Shoqatës Kulturore Letonezo-Bullgare “Kirill dhe Metodij” në Riga, e cila ia kushton një pjesë të madhe të kohës së saj të lirë ruajtjes së trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale të komunitetit bullgar në Letoni.
“Letonia është një shtet i vogël, rreth 2 milionë banorë, dhe për këtë arsye edhe komuniteti bullgar është relativisht i vogël. Në vitin 2014 kishte mbi 1000 bullgarë, ndërsa tani janë më pak se 800. Pra, tendenca e zvogëlimit të numrit të bullgarëve është e njëjtë si në Bullgari. Në një komunitet kaq të vogël është i nevojshëm mobilizim shumë i madh, sepse në komunitetet më të mëdha është shumë më e lehtë të gjesh bashkëmendimtarë” – tregoi Iskra Boneva në një intervistë për Radio Bullgarinë.

FOTO: Искра Бонева

Ekspozita në Riga, e hapur zyrtarisht më 6 nëntor, paraqet momentet kyçe të Bashkimit të Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore përmes 20 paneleve që përmbajnë fotografi, piktura dhe citate nga veprat e klasikëve tanë. Ajo tregon për dinjitetin, unitetin dhe heroizmin e shfaqur nga populli bullgar gjatë përgatitjes dhe realizimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme për vendin.
Ekspozita është organizuar nga Shoqata Kulturore Letonezo-Bullgare “Kirill dhe Metodij”, në bashkëpunim me Muzeun Historik Rajonal të Plovdivit, dhe mund të vizitohet deri më 30 nëntor 2025, në Katin e Dytë të Shtëpisë së Organizatave Joqeveritare (NVO nams), Ieriķu iela 43a, në Riga.
Përpiloi: Elena KarkallanovaPërgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Iskra Boneva