90 pjesëmarrës, që përfaqësonin 57 ansamble folklorike bullgare nga Evropa dhe Amerika e Veriut, u mblodhën në Sofje për takimin e tyre të katërt krijues-seminar. Ai kaloi jashtëzakonisht në mënyrë konstruktive, me punëtori dhe ligjërues të dobishëm, por u shënua gjithashtu edhe një hap përpara në një çështje të rëndësishme për Shoqatën e ansambleve folklorike jashtë vendit – financimin e ansambleve bullgare jashtë kufijve. Zëvendësministri i kulturës, Georgi Sulltanov, prezantoi një projekt të programit kombëtar për mbështetjen e bashkësive të bullgarëve në botë, në fushën e artit dhe kulturës.
“Ky është një dokument-projekt, i cili do të paraqitet për diskutim dhe do të kalojë nëpër gjithë rrugën administrative, që të arrijë në Këshillin e Ministrave dhe të miratohet. Zëvendësministri na siguroi se afatet për këtë janë të shkurtra dhe duhet të ndodhë madje deri në fillim të vitit të ardhshëm” – sqaroi në një intervistë për Radio Bullgarinë kryetarja e Shoqatës së ansambleve folklorike bullgare jashtë vendit, Radosllava Nedjallkova.
Радослава Недялкова
FOTO: БТА
Në kuadër të takimit treditor (7–9 nëntor) u shpallën edhe datat e edicionit të 11-të të festivalit udhëtues folklorik “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”, i cili do të zhvillohet në Mynih – mikpritës atje do të jetë ansambli “Lazarka”: “Datat janë 15–17 maj dhe të gjithë fillojmë të rezervojmë hotele, bileta avioni dhe të përgatitemi me programin e pjesëmarrjes – shpjegoi znj. Nedjallkova. – Unë drejtoj grupin ‘Nashenci’ nga Milano dhe pjesërisht tashmë kishim filluar përgatitjet. Tani megjithatë kemi edhe temën e festivalit ‘Libe le, libe hubavo’ dhe koreografja jonë filloi të mendojë për ndonjë element të përshtatshëm, të lidhur me titullin, që ta ndërthurim në vallet tona.”
Një ngjarje interesante në kuadër të takimit ishte shpërndarja e çmimeve për pjesëmarrësit në edicionin e 9-të të iniciativës “Këmisha ime bullgare e qëndisur”. Ky është një konkurs, i organizuar nga Shoqata Kulturore “Asen dhe Ilija Pejkovi” me shkollën “AzBuki” në Romë dhe Kolefero, nën drejtimin e Mariola Georgievës. Në konkurs këtë vit morën pjesë fëmijë nga Bullgaria, Italia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Qipro.
Ndarja e çmimeve për fituesit u zhvillua në Universitetin e Ri Bullgar në Sofje – aty është rregulluar edhe një ekspozitë me piktura të pjesëmarrësve, e cila mund të shihet deri më 4 dhjetor. Në ekspozitë marrin pjesë edhe studentë nga departamenti “Arte dhe Dizajn” pranë universitetit, projektet dhe vizatimet artistike të të cilëve paraqesin një interpretim bashkëkohor të veshjes tradicionale bullgare.
Мариола Георгиева
FOTO: Йоан Колев
Lista e fëmijëve të shpërblyer në kategoritë “Vizatim”, “Tekst artistik” dhe “Multimedia” do të gjendet në fund të publikimit, ndërsa organizatorja e konkursit, Mariola Georgieva, sqaroi për Radio Bullgarinë:
“Çmimi i parë në konkursin tonë është një këmishë bullgare e qëndisur për secilën nga tre kategoritë dhe grupmoshat. Çmimi i dytë dhe i tretë janë gjithashtu materialë, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit marrin një certifikatë.”
Bashkatdhetarja jonë është drejtoreshë e Shoqatës “Asen dhe Ilija Pejkovi” në kryeqytetin italian, e krijuar në vitin 2016, dhe një nga qëllimet e saj është të ruajë të gjallë kujtimin për patronët e vet – skulptorin Asen Pejkov dhe piktorin Ilija Pejkov – të cilët kanë lënë një gjurmë të rëndësishme në jetën kulturore të Qytetit të Përjetshëm.
“Aktiviteti i shoqatës sonë është përqendruar mbi shkollën ‘AzBuki’, e krijuar nga prindër dhe mësues atdhedashës, të cilët e duan me shpirt profesionin e tyre. Nuk është e lehtë, sepse angazhohemi të mësojmë fëmijë dygjuhësh, të cilët mësohen me një metodologji shumë të ndryshme nga ajo me të cilën jemi mësuar në Bullgari. Jashtë shkollës kemi një ansambël folklorik të quajtur ‘Lev’, i cili është anëtar i Shoqatës së ansambleve folklorike bullgare jashtë vendit. Për të gjashtin vit me radhë organizojmë konkursin ndërshkollor online në lexim për klasën e tretë dhe të katërt për të gjitha shkollat e së dielës në botë. Ai do të zhvillohet në të shtunën e parë ose të dytë të muajit maj 2026. Këto janë pjesë e aktiviteteve tona, përveç atij tradicional – të përhapim kulturën tonë dhe të ndërtojmë ura midis nesh dhe shteteve të tjera.”
Shikoni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Joan Kolev, BTA