Artikull
Rast i radhës i mizorisë ndaj një kafshe mobilizon energjinë qytetare
Psikologu Nikollaj Dimitrov: Shfaqje të tilla perceptohen si shkelje e kodit moral dhe e vetë idesë për njerëzi
Enjte 13 Nëntor 2025 12:30
Enjte, 13 Nëntor 2025, 12:30
Qeni Maja
FOTO: nova.bg
Madhësia e shkronjave
Rasti me një qen të shkelur nga një mjek në një lagje të kryeqytetit shkaktoi një valë pakënaqësie publike dhe organizimin e një proteste në Sofje, e cila do të zhvillohet sot para Akademisë Ushtarako-Mjekësore – institucioni shëndetësor ku punon mjeku. Ndërkohë, nga spitali njoftuan se Nenad Conevski nuk do të ushtrojë veprimtarinë e tij deri në përfundimin e hetimit, ndërsa informacioni se ai ka lënë vendin dhe ndodhet në territorin e Maqedonisë së Veriut mbeti i pakonfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë së Qarkut të Sofjes, Nikollaj Nikollaev, i cili shpalli se deri dje nuk ka të dhëna nga Policia Kufitare që mjeku të ketë lënë vendin.
Rasti i fundit i sjelljes çnjerëzore ndaj një kafshe, i njohur si “incidenti me qenin Maja”, si edhe disa të ngjashëm gjatë muajve të fundit, janë pasqyrë e moralit shoqëror – theksoi në një intervistë për Radio Bullgarinë psikologu social doc. Nikollaj Dimitrov.
“E mira, nëse mund të quaj diçka të mirë në këto raste, është se si pasojë ato zbulojnë se në Bullgari po formohet një lloj i ri ndjeshmërie kolektive – empatia ndaj kafshëve si pjesë e moralit njerëzor në përgjithësi. Shoqëria nuk qëndron pasive dhe jo vetëm që dënon, por e ripërkufizon identitetin e vet përmes reagimit ndaj rasteve të tilla. Raste të tilla nuk janë thjesht raste kriminale, por, do të guxoja të thoja, edhe teste etike për pjekurinë e ndërgjegjes kolektive.”
Ai vuri në dukje kontrastin e fortë psikologjik që provokon profesioni i autorit – në këtë rast, ai është mjek.
“Kjo shkakton një ndarje shumë të fortë morale në shoqëri – si mund që një njeri, roli i të cilit është të shpëtojë jetë, të kryejë një vrasje. Ky kontrast, përveç përjetimit të problemit nga vëzhguesit e jashtëm, mund të provokojë humbje besimi në institucionet që perceptohen si shtylla morale, në këtë rast – shëndetësia: çfarë njerëzish punojnë në këtë sistem dhe a mundet që mjekët humanë të sillen jo humanisht ndaj kafshëve.”
Psikologu mendon se reagimi shoqëror në këtë rast është i justifikuar dhe logjik:
“Mizoria ndaj kafshëve perceptohet si shkelje e kodit dhe rendit moral dhe e vetë idesë për njerëzi. Protesta kolektive dhe dënimi publik janë mekanizma shoqërorë për rivendosjen e ekuilibrit moral.”
FOTO: arsofia.com
Çdo formë dhune, pavarësisht nëse ndaj njerëzve apo ndaj kafshëve, duhet të ndëshkohet dhe të pengohet – ky është pozicioni kategorik i Animal Rescue, organizatë joqeveritare që kujdeset për kafshët e pastreha. Ja si e shohin njerëzit që i marrin, i socializojnë, i sterilizojnë dhe u gjejnë shtëpi të reja katërkëmbëshave të gjetur në rrugë, rastet e sjelljes çnjerëzore ndaj tyre:
“E vërteta është se kafshët e pastreha bëhen viktima jashtëzakonisht të lehta të dhunës, sepse rrallë kontrollohet ku është dhe cila është përkatësisht kafsha – shpjegon bashkëthemeluesja e Animal Rescue, Nadezhda Stançeva. – Prej 15 vitesh përsërisim të njëjtën mantrë në intervista, artikuj dhe grupe pune, që shteti duhet të kontrollojë kafshët shtëpiake dhe tregtinë me to. Është e detyrueshme çipizimi i çdo qeni, por nuk do të ketë rezultat derisa shteti të fillojë ta kontrollojë dhe, nëse nuk zbatohet, të ndëshkojë – ky është një ligj që mbështetet në vullnetin e mirë të njerëzve. Nëse çdo qen i blerë në një dyqan zoologjik regjistrohet në emër të pronarit të tij, nesër, kur ai të gjendet në rrugë, do të ketë kush të gjobitet, por ky person me siguri do të mendojë nëse do të hedhë qenin e ardhshëm.”
Në Bullgari ekziston Policia për Kafshët, por sipas Nadezhda Stançeva kjo strukturë ekziston vetëm në dokumente dhe nuk funksionon në mënyrë efektive për rastet e dhunës ndaj kafshëve:
FOTO: БГНЕС
“Ajo ka burime dhe kompetenca të vogla – janë policë që merren me punë normale policore dhe kur ka rast dhune ndaj një kafshe, njerëzit mund të drejtohen te ta. Vetëm se për gjithë vendin numri i tyre është vetëm disa persona, prandaj është e qartë se kjo nuk është forma në të cilën duhet të zbatohen ligjet.”
Nadezhda Stançeva sinjalizon edhe për një problem tjetër që ekziston prej shumë kohësh, i lidhur me llojin tjetër më të përhapur të kafshëve shtëpiake – macet.
FOTO: arsofia.com
“Nuk ka një bazë të dhënash të unifikuar për mikroçipet që vendosen te macet, pra edhe nëse e çipizojmë një mace, ai numër nuk çon askund. Ky është problem, sepse edhe pse është e detyrueshme që macja të jetë e çipizuar, për shembull për të udhëtuar me pronarin e saj, si dhe gjatë blerjes apo adoptimit, ky çip nuk jep asnjë informacion. Baza e vetme e të dhënave “VetIS” është ndërtuar nga Agjencia Bullgare për Sigurinë Ushqimore, por në të figurojnë kuajt, delet, dhitë, qentë, por jo macet. Prandaj edhe pronarët përgjegjës që duan të regjistrojnë macen e tyre, nuk mund ta bëjnë.”
Informacioni për çdo çipizim të bërë te një mace ruhet në letër. Në Sofje megjithatë janë të regjistruara dhe funksionojnë mbi 200 klinika veterinare, dhe nëse një person dëshiron të kontrollojë se kujt i përket macja që ka gjetur, nuk mund t’i vizitojë të gjitha dhe të presë ndihmë për këtë.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: nova.bg, BNR - Arkiv, BGNES, arsofia.com