Perspektivat e Evropës për t’u përballur me sfidat përpara të cilave qëndron u diskutuan sot në institucionin presidencial nga kreu i shtetit, Rumen Radev, me ministrin e jashtëm të Hungarisë, Peter Sijarto. Ministri i jashtëm hungarez ndodhet për vizitë në Bullgari për t’u takuar me presidentin bullgar, njofton shërbimi për shtyp i presidencës.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan në qëndrimin se rikthimi i paqes në Evropë përmes mjeteve diplomatike është detyra kryesore e Bashkimit Evropian dhe e vetmja mundësi për të garantuar në mënyrë të qëndrueshme sigurinë dhe stabilitetin e Kontinentit të Vjetër. U theksua gjithashtu nevoja për veprime sistematike nga BE për forcimin e konkurrueshmërisë së Evropës, si dhe të qëndrueshmërisë sociale dhe ekonomike të unionit. Në këtë kuadër, u diskutuan veprimet e përbashkëta të ndërmarra nga Bullgaria dhe Hungaria për zgjerimin e konektivitetit rajonal, në mënyrë që të garantohet besueshmëria e zinxhirëve të furnizimit dhe transitit të burimeve energjetike, si edhe partneriteti dypalësh në ekonomi.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: president.bg