SHOQËRI

Reportazh

Klubi i grave dhe familjeve bullgare në Hamburg feston 20-vjetorin

Emilia Jücker: Familja është kujdes, respekt dhe energji, e cila transmetohet nga njeriu te njeriu dhe nga brezi në brez

Shtunë, 22 Nëntor 2025, 09:00

Klubi i grave dhe familjeve bullgare në Hamburg feston 20-vjetorin

FOTO: Facebook/ Emilia Jücker

Madhësia e shkronjave

Festa e familjes së krishterë çdo vit është arsye për takim të bashkatdhetarëve tanë në Hamburg. Viti 2025 nuk bën përjashtim dhe ftesa prej kohësh qarkullon në rrjetet sociale, sepse bashkatdhetarët tanë do të festojnë solemnisht 20 vjet nga krijimi i Klubit të grave dhe familjeve bullgare. Organizatë që bashkon bullgarët në këtë qytet gjerman dhe ruan të gjalla traditat, gjuhën dhe përkatësinë vendase.

“Gëzohemi nga zemra që mund të jemi së bashku, të mbledhim familjet dhe ata që mbështesin familjen. Me kishën bullgare në Hamburg dhe atin Jakov kemi bashkëpunim dhe synojmë çdo vit të jemi së bashku rreth kësaj feste. Nuk është e rastësishme kjo datë, kështu që mund të them, kjo është një festë e bullgarëve në Hamburg dhe kemi mbështetjen e shumë bashkatdhetarëve“ – thotë me gëzim Emilia Jücker, e cila së bashku me bashkëshortin e saj Manfred Jücker janë ndër themeluesit e shoqatës.

Ngjarja, të cilën klubi e organizon më 22 nëntor, mbledh në programin e tij tre grupe vallesh për valle popullore bullgare nga Hamburgu dhe Bremeni, muzikë klasike, xhaz. Do të shpallen edhe rezultatet e konkursit vjetor letrar për mjeshtërinë artistike të bullgarëve në Hamburg.

FOTO: Facebook/Emilia Jücker

“Kemi ekspozitë që tregon historikisht si është zhvilluar klubi ynë nga themelimi i tij deri tani. Do të tregojmë edhe ekspozitën për historinë e BNR-Varna, të cilën ata na e dërguan. Kemi shumë përfaqësues interesantë të artistëve bullgarë, njëra prej tyre vjen nga ishulli Majorka. Kemi mbështetje nga e gjithë bota…” – shton znj. Jücker.

Gjatë viteve Klubi ka kapërcyer shumë vështirësi në dëshirën e anëtarëve të tij të paraqesin dhe pozicionojnë siç duhet kulturën bullgare në Hamburg. Shtëpia e familjes Jücker ka strehuar jo një dhe dy ngjarje, ata kanë financuar shumë nga aktivitetet që të mund të krijojnë një mjedis që t’u japë ndjenjë komunitetit të bullgarëve atje:

FOTO: Facebook/ Emilia Jücker

“Klube të tilla janë të njohura në kulturën perëndimore, për ne ky klub është një ideologji e re. Unë jam doktoreshë e shkencave biologjike, jam specializuar në Gjermani neurobiologji molekulare dhe duhet t’ju them se kur një njeri nuk buzëqesh, ai tashmë ka problem. Pra, ne duhet të punojmë që njerëzit të jenë të kënaqur, të buzëqeshur dhe të vijnë me familjen e tyre. Problemi ynë lidhet me këtë, që gjithçka është shumë e shtrenjtë dhe njerëzit duhet të investojnë mjetet e tyre. Familja jonë për 15 vjet i paguante aktivitetet e klubit tërësisht me mjetet e veta. Dhe kjo është një nga drejtimet e zhvillimit – nëse kemi mbështetjen e shumicës së njerëzve, nëse rrisim kulturën organizative, mund të jemi të gjithë, me interesat e ndryshme të njerëzve, së bashku. Dhe të punojmë në një drejtim – shëndeti i njerëzve, dashuria mes tyre dhe gjithçka që u duhet fëmijëve. Prandaj e proklamoj përmes radios të krijohen më shumë klube të familjeve dhe grave! Ne thjesht e bëmë në praktikë. Kur njeriu largohet nga takimet me buzëqeshje, ai të paktën dy ditë pas kësaj ka energji të punojë më mirë, të sillet më mirë me njerëzit e tjerë. E edhe kur sheh se dikush mendon për të, kjo është shumë ndryshe. Familjet bullgare janë shumë të ndryshme këtu – kanë interesa të ndryshme, vijnë nga rajone të ndryshme gjeografike të Bullgarisë, flasin dhe vallëzojnë në mënyra të ndryshme. Prandaj edhe grupet tona në Klub janë të ndryshme, ato u përgjigjen interesave të njerëzve.”

FOTO: Facebook/ Emilia Jücker

Emilia Jücker vendos theks mbi shtyllën më të rëndësishme të komunitetit – familjen, e cila sipas saj ndërtohet përmes qëndrueshmërisë, lidhjes emocionale dhe respektit. Kujdes i veçantë, sipas fjalëve të saj, duhet t’u kushtohet të rinjve të lindur dhe rritur në Gjermani – ata rriten mes dy kulturave dhe kjo kërkon vëmendje, mirëkuptim dhe mbështetje nga të rriturit.

“Familja bullgare i ka fëmijët e vet, të cilët janë të lindur këtu. Mirëpo tashmë ndjehet një presion nga mjedisi i jashtëm. Kjo varet edhe nga ajo sa faktor i fortë janë prindërit, gjyshërit në Bullgari, sa shpesh shkojnë në Bullgari. Prandaj ne bëjmë konkursin letrar, që njerëzit të mund të ushtrohen të lexojnë. Ja, edhe në bienalen e humorit bullgar vijnë shumë të rinj, sepse ata kanë nevojë të kuptojnë se çfarë jemi ne, bullgarët. Në një situatë të tillë të vështirë janë edhe brezat që janë lindur në Bullgari – ne gjithashtu humbim shumë energji të identifikohemi, të organizohemi në mjedisin e huaj. Kjo është ngarkesë e madhe mbi sistemin nervor të njerëzve. Këtu ka mjaft sëmundje që më shqetësojnë dhe unë i ndava me Unionin e shkrimtarëve dhe mjekëve bullgarë. 

FOTO: Facebook / Sabina.Hristova

Të rinjtë nuk i njohin shumë nga termat, disa madje mes tyre flasin gjermanisht kur vijnë në klub. T’ju them sinqerisht, ne vërejmë se gjuha bullgare është në gjendje të harrese. Ajo tashmë nuk përdoret në atë mënyrë prestigjioze, në të cilën ne do të donim. Prandaj duhet që artistët dhe këngëtarët bullgarë, të cilët punojnë me gjuhën bullgare, të kontaktojnë me të rinjtë. Këtu bëhen shumë koncerte, por janë të shtrenjta dhe nuk janë të arritshme për të gjithë bullgarët, të cilët gjithashtu duhet të udhëtojnë deri te vendi. Nuk vijnë edhe sepse janë shumë të zënë, pasi biznesi këtu punon shumë intensivisht dhe i ngarkon. Ne punojmë shumë pas punës, kjo është koha e lirë. Qëllimi ynë, megjithatë, është të kemi në Klub një ndjenjë familjare së bashku.”

Më 22 nëntor festa në Hamburg Haus premton pikërisht këtë – takim njerëzish, traditash, muzike dhe emocionesh, të cilat kujtojnë se shpirti bullgar është i gjallë kudo ku ka familje të bashkuara nga dashuria dhe përkatësia.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski

Foto: Facebook/Emilia Jücker, Facebook / Sabina.Hristova