FOLKLOR

Seksion

Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare “nis” turneun evropian

Shtunë, 22 Nëntor 2025, 11:35

Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare “nis” turneun evropian

FOTO: ShAFBJV

Madhësia e shkronjave

Në tre shtete, në tre qytete evropiane – Lion, Mynih dhe Kopenhagen – më 22 nëntor prezantohet projekti i Shoqatës së Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit, “Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare”.


“Qëllimi i Shoqatës është të ruajë traditat dhe folklorin bullgar dhe për këtë arsye dëshironim të krijonim një katalog të përbërë nga valle tradicionale që duam t’i studiojmë dhe t’i ruajmë për brezat e ardhshëm,” thekson Pllamen Petkov, anëtar i Shoqatës dhe drejtues i Ansamblit ‘Llazarka’ në Mynih.

Pllamen Petkov

FOTO: ShAFBJV

“Kjo ishte një ide e jona shumëvjeçare. Pamë nevojën për të krijuar një katalog që t’u ndihmonte grupeve jashtë vendit të përmirësonin mënyrën e mësimdhënies së kërcimeve popullore bullgare. Për disa drejtues kjo mund të jetë më e lehtë, por për pjesën më të madhe të njerëzve, të cilët kanë profesione krejt të ndryshme, ky katalog do të ishte një ndihmë e madhe në punën e tyre me trupat valltare,” shpjegon bashkëatdhetari ynë për Radio Bullgarinë.


Në pjesën e parë të katalogut janë përfshirë 11 valle të regjistruara, së bashku me një shpjegim të shkurtër se nga cila zonë folklorike e Bullgarisë vijnë dhe cilat janë lëvizjet kryesore në to – të shpjeguara në mënyrë të tillë që të kuptohen lehtësisht nga një publik më i gjerë.


Borisllav Mutafçijski

FOTO: BNR Bllagoevgrad

Prezantimi i katalogut në Lion do të shoqërohet nga një seminar me koreografin bullgar Borisllav Mutafçijski – një tjetër takim frymëzues me ritmet bullgare për valltarët e ansamblit folklorik “Nga burimi” dhe për të gjithë ata që janë magjepsur nga magjia e kërcimit bullgar në qytetin francez.


Turneu i veçantë për prezantimin e përmbledhjes vazhdon më 2 dhjetor në qytetin britanik Guildford dhe më 6 dhjetor në Milano, ku mikpritës do të jenë valltarët e grupit folklorik “Nashenci”, i themeluar nga Radosllava Nedjallkova.


Grupi folklorik - “Nashenci”

FOTO: rupi për Valle dhe Zanate Tradicionale Bullgare “Nashenci”

Katalogu i ri do të jetë shumë i dobishëm edhe për përgatitjen e ansambleve bullgare në mbarë botën për pjesëmarrjen e tyre në edicionin e 11-të të festivalit udhëtues “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”. Ky aktivitet do të zhvillohet nga 15 deri më 17 maj në Mynih, ndërsa drejtuesi i ansamblit “Llazarka”, i cili do të jetë organizator i ngjarjes, shpjegon:


“Përmbledhja është realizuar në kuadër të një projekti të financuar nga Fondi Kombëtar ‘Kultura’ dhe jemi të detyruar të paraqesim rezultatet. Përveç kësaj, duam t’i prezantojmë vallet paraprakisht, në mënyrë që ansamblet t’i kenë mësuar deri në festival, sepse aty do të theksojmë disa prej tyre dhe presim që të kërcehen në shesh.”


Julija Popçeva

FOTO: Julijana Kornazheva

Pllamen Petkov shprehu mirënjohje për Julia Popçevën nga Instituti i Etnologjisë dhe Folklorit me Muze Etnografik pranë Akademisë Bullgarie të Shkencave, si dhe për nën-drejtoreshën e Shkollës Kombëtare të Artit të Kërcimit në Sofje, Antoaneta Asenova, të cilat kanë ndihmuar shumë në përzgjedhjen dhe prezantimin e valleve.


Ai shtoi se, nëse interesi ndaj përmbledhjes e justifikon pritshmërinë, Shoqata e Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit do të publikojë edhe pjesën e dytë, “pasi ka ende shumë pasuri të trashëgimisë kërcimtare që duhen prezantuar” – premtoi Pllamen Petkov.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Facebook / Shoqata e Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit, BNR Bllagoevgrad, Grupi për Valle dhe Zanate Tradicionale Bullgare “Nashenci”, Julijana Kornazheva