Personalitete

Reportazh

At Julijan Angellov u zbulon bullgarëve në Gjenevë dimensione të pasurisë

“Dashuria është më e fortë se gjithçka”

Hënë, 24 Nëntor 2025, 20:00

At Julijan Angellov u zbulon bullgarëve në Gjenevë dimensione të pasurisë

FOTO: Marija Bozhidarova

Madhësia e shkronjave

Ai nuk e pranon për veten përcaktimin “apostull” ose “misionar”, megjithëse për shumëkënd është pikërisht i tillë – i dërguar i Zotit në botë, për të lajmëruar Fjalën e Tij. Bëhet prift në dioqezën e tij të lindjes, Vidin, në Bullgarinë veriperëndimore. Në dioqezën Perëndimore dhe Qendrore Evropiane të KPB fillon shërbimin e vet në kishën katedrale në Berlin. Më vonë themelon bashkësinë kishtare bullgare në Hamburg, pastaj bashkësitë tona në Këln, në Lajpcig… Udhëton shumëfish çdo muaj që të shërbejë atje për vite me radhë, derisa nën kujdesin e tij bashkësia kishtare të forcohet dhe derisa të gjendet një prift tjetër që të marrë kujdesin për të. Thotë, me natyrshmërinë dhe thjeshtësinë që e karakterizon, se parimi i tij në jetë është “pa arsye puno, pa arsye mos rri. Do të bëhet”, thotë në një intervistë speciale për podcastin “Ura e besimit” të Radio Bullgarisë:

At Julijan Angellov

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

“Njeriu kur punon, kur gris katër palë këpucë, gjërat dalin. Nuk ka si të mos dalin. Domethënë, duhet të punohet, dhe Zoti të vendosë kush është apostull, kush nuk është, kush çfarë është. Sepse mëkatet tona nuk janë të pakta. Duhet të bëjmë diçka, sepse ndryshe do të mbetemi vetëm me mëkatet tona dhe me këpucët tona krejt të reja.”

Epo, At Julijan Angellov me siguri nuk do të mbetet me këpucë të reja. Ka grisur jo një ose dy palë nga të shkuarit nëpër aeroporte dhe rrugët e Evropës. Shpesh shoqëron edhe Mitropolitin Perëndimor dhe Qendro-Evropian Antonij në udhëtimet e tij nëpër dioqezën e gjerë deri në një apo në një tjetër bashkësi kishtare. 

Ndërsa në vitet 2020–2021, përveç angazhimeve të tij në Gjermani, mitropoliti Antonij i ngarkon kujdesin edhe për bashkësinë kishtare bullgare në Gjenevë, si dhe për bullgarët nga e gjithë pjesa frankofone e Zvicrës. Prej atëherë shkon atje një herë në muaj për të shërbyer Liturgjinë e shenjtë, udhëton edhe jashtë radhe për varrime, përkujtimore, pagëzime… Shumë herë i është dashur të udhëtojë të premten pasdite në një qytet, të shërbejë të shtunën atje, pastaj të lëvizë në një qytet tjetër dhe ditën tjetër, të dielën, të shërbejë edhe atje. Bën qindra kilometra për të vizituar bashkatdhetarët tanë, për të kryer shërbesat, për t’u kujdesur për shpirtrat e tyre në kohë provash, që ata të rifitojnë paqen e brendshme. Është pranë tyre edhe në gëzimet dhe sukseset e tyre, edhe në shqetësimet dhe provat e tyre.

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

Çfarë e motivon të sakrifikojë nga koha e tij, të cilën mund t’ia kushtojë familjes së tij ose besimtarëve të tij në Berlin, të heqë dorë nga komoditeti dhe rehati e tij dhe të investojë jo pak mjete?

“Më motivojnë njerëzit. Më motivon kur në bashkësitë përballë merr dashuri, sheh se ajo është e ndërsjellë. Kjo dashuri të bën të fluturosh, të ulesh, të bësh mrekulli që vështirë mund t’i imagjinoje – si energji, si dashuri, si afeksion mes vetë besimtarëve dhe ata bashkë me priftin. Ata janë si fëmijë, nuk mund t’i lësh. Kjo dashuri të jep forcë. Kam shërbyer me dhimbje të forta në mes, isha operuar, kthehem nga Gjeneva, dhe të martën më operojnë. Nuk mund të rrija në këmbë, por dashuria është më e fortë se gjithçka” – përfundon At Julijani.

Në çdo rajon të Evropës bullgarët përballen me probleme të ndryshme dhe sfidat para tij, si prift dhe udhëheqës i tyre shpirtëror, janë të ndryshme. Thekson se në Gjenevë, ndryshe nga bashkësitë e tjera, bashkatdhetarët tanë nuk kanë probleme sociale  për banesë, shëndetësi, punë… Problemet e tyre janë të një natyre tjetër. Në pjesën më të madhe janë shumë mirë të paguar – mbajnë pozita të mira në sektorin bankar, në fonde mbrojtëse, por atje gjërat janë shumë dinamike, ata mbajnë përgjegjësi të mëdha dhe marrin rreziqe të mëdha. Prandaj nuk lë pa u kujtuar se paratë nuk janë gjithçka, “se ekziston edhe komponenti i dytë dhe i tretë i antropologjisë njerëzore”, se njeriu ka edhe shpirt të pavdekshëm dhe frymë.

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

Si prift ortodoks duhet t’u shpjegojë se shumë gjëra nuk varen prej tyre, se duhet të bëjnë gjithçka me lutje dhe kur fitojnë të mos harrojnë t’i falënderojnë Zotit, dhe kur humbasin të gjejnë forcë të thonë si Jovi i Dhiatës së Vjetër: “Zoti dha, Zoti edhe mori; (siç qe e pëlqyer për Zotin, ashtu edhe u bë) qoftë i bekuar emri i Zotit!”.

“Këtë po mësojmë. Atje secili ka banesën, punën, paratë, pagën, familjen etj. Ata nuk kanë problemet bazë të shumicës së njerëzve, por prapë kështu e ka rregulluar i ligu, që mund t’ua humbasë shpirtrat e pavdekshëm.

Standardi i jetesës nuk e përcakton shpëtimin e njeriut. Puna në Gjenevë është krejt ndryshe. Mund të zgjasë deri në nëntë të darkës, mund të të bëjnë edhe të shtunën të jesh prapë atje, dhe të dielën, mos dhëntë Zoti, të vdesësh… Pastaj do të dalë se kur s’je ti, dy herë më mirë ia dalin pa ty, ndërsa ti mendon se pa ty nuk munden. Gjatë gjithë kohës sistemi të sugjeron “jepi, jepi, jepi” dhe ti djersitesh, djersitesh, djersitesh dhe në fund të fut në varr. Të lë ty dhe merr tjetrin dhe prapë në të njëjtën mënyrë. Ndërsa shpëtimi nuk është atje, ai është në një vend tjetër, kur nuk nxiton, kur ecën pak më ngadalë dhe mendohesh. Nëse lutesh në mëngjes, në drekë dhe në mbrëmje, nuk do të jetë kështu dhe do të shohësh diçka që ndryshe nuk do të mund ta shohësh.”

FOTO: Aleksandra Karamihaleva

At Julijani vëren se në kohën tonë pasuria ka përmasa të tjera dhe të marrësh shpërblim të lartë për punën tënde nuk do të thotë se je i pasur, sepse jeta në Gjenevë dhe në qytete të tjera të Perëndimit është e shtrenjtë – taksat janë të mëdha, kontributet sociale, qiratë, çmimet… “Të marrin 80% nga ajo që ke fituar. Siç të japin bujarisht, ashtu bujarisht ta marrin. Nuk do të thosha se ia vlen të shesësh shpirtin për diçka të tillë. Nuk ia vlen as për asgjë tjetër, sepse shpirti është i paçmuar” – është kategorik kleriku.

Për kohën e shkurtër, nën kujdesin dhe udhëheqjen e atit Julijan, bashkësia kishtare shndërrohet në bashkësinë më të madhe dhe më të bashkuar bullgare në Gjenevë, si dhe në organizatën me interesin më të madh shoqëror. Fiton me meritë besim midis bashkësive të tjera të krishtera në qytet dhe nga ana e autoriteteve lokale. Por frytet më të çmuara të përpjekjeve të tij, të mijëra kilometrave të përshkuara, të kohës dhe forcave që u ka kushtuar shërbesave të tij, janë: përparimi i besimtarëve të tij në besim dhe dashuria e tyre e ndërsjellë.

Redaktoi: Darina Grigorova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Marija Bozhidarova, Aleksandra Karamihaleva