Martë 25 Nëntor 2025 07:00
Martë, 25 Nëntor 2025, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Projektbuxheti shtetëror umiratua në lexim të parë nga Asambleja Kombëtare më 21 nëntor. Megjithatë, ndryshimet e planifikuara në kuadrin financiar për vitin 2026 shkaktuan një përplasje të hapur midis koalicionit qeverisës, të udhëhequr nga GERB, dhe opozitës, të nxitur nga pakënaqësia e sindikatave dhe punëdhënësve. "Ka të gjitha bazat për protesta, ato do të jenë serioze dhe tashmë po fillojnë", paralajmëroi Nikollaj Denkov nga "Po e Vazhdojmë Ndryshimin" dhe ish-kryeministër i vendit. Sipas tij, projektbuxheti i propozuar i vendit dëmton qytetarët dhe bizneset, prandaj ai dhe partnerët e tij po organizojnë bllokada të parlamentit me një kërkesë për një rishikim të projektbuxhetit për vitin 2026 përpara se ai të votohet përfundimisht në leximin e dytë në Asamblenë Kombëtare, gjë që pritet të ndodhë deri në fund të muajit.
Temenuzhka Petkova
FOTO: BGNES
Sipas Ministres së Financave Temenuzhka Petkova, Ligji i Buxhetit i miratuar nga parlamenti në leximin e parë garanton qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të Bullgarisë. Në fund të vitit të ardhshëm, borxhi shtetëror do të arrijë në 31% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Thesari duhet të mbyllet me një deficit prej 3% të PBB-së. Zëvendëskryeministri dhe socialisti Atanas Zafirov gjithashtu mbrojti dokumentin dhe bëri thirrje për asnjë "ndryshim të paqëllimshëm" midis leximit të parë dhe të dytë. Sipas fjalëve të tij, projekti përmban masa me të cilat koalicioni nuk mund të bëjë kompromis, dhe për këtë arsye duhet të miratohet pa korrigjime të rëndësishme.
"Çdo buxhet mund të jetë më i mirë, varet se nga e shikon", pranoi për Radion Kombëtare Bullgare ish-Ministri i Financave i GERB-it, Vlladislav Goranov, por theksoi se projekti i propozuar është një kompromisi i mundshëm: "Buxheti është kjo që do të mbështeste shumica aktuale e koalicionit".
Vlladisllav Goranov
FOTO: BGNES
Futja e euros (e planifikuar për 1 janar 2026) i jep rëndësi shtesë debateve për buxhetin. Qeveria pretendon se rritja e të ardhurave - për shembull e pagës minimale - është e nevojshme për të "qetësuar" shqetësimet e popullsisë në lidhje me ndryshimin e monedhës. Në këtë drejtim, është planifikuar që paga minimale të arrijë në 620 euro nga fillimi i vitit 2026. Ndryshimet e përfshira në Buxhetin e vitit 2026 parashikojnë gjithashtu një rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore me 2 për qind nga 1 janari 2026 dhe me 1 për qind tjetër nga 1 janari 2028, një rritje të të ardhurave maksimale të sigurimeve shoqërore në 2352 euro (që është një rritje prej 11.4% krahasuar me atë aktuale), një rritje të pensioneve sipas të ashtuquajturit "rregull zviceran" me gati 8% nga 1 korriku 2026.
"I pabalancuar brutalisht dhe i parealizueshëm" - kështu e përcakton akademiku Nikollaj Denkov buxhetin e qeverisë. Ai gjithashtu vëren se disa sektorë (përfshirë ata me paga të larta) marrin rritje serioze, ndërsa biznesi privat është "jashtëzakonisht i goditur". Në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare, ai theksoi se kritikat ndaj buxhetit vijnë nga të gjitha anët - nga opozita, nga punëdhënësit dhe nga sindikatat, dhe hodhi poshtë përpjekjet për ta lidhur pakënaqësinë me futjen e ardhshme të euros. Sipas tij, debati nuk ka të bëjë me monedhën, por me strukturën e vetë buxhetit: "Të thuash se ai që proteston kundër buxhetit është kundër euros është absolutisht e papranueshme" - ishte kategorik Nikollaj Denkov.
Nikollaj Denkov
FOTO: BTA
Një vështrim mbi Buxhetin 2026 jashtë Parlamentit
Kritikat kryesore nga punëdhënësit lidhen me rritjen mekanike të të ardhurave përmes barrës më të lartë të sigurimeve shoqërore dhe zgjerimit të shpenzimeve, pa reforma. Sipas tyre, kjo është një zgjidhje afatshkurtër që do të dobësojë aktivitetin ekonomik dhe nuk do t’u sigurojë një financim të qëndrueshëm sistemeve. Ata paralajmërojnë se rritja e barrës së sigurimeve shoqërore do të rrisë kostot e punës me 8-10% dhe do të rrisë çmimet, do të ngadalësojë investimet dhe do të zgjerojë ekonominë në hije.
FOTO: BGNES
Sindikatat, nga ana e tyre, po kërkojnë një rritje më të ndjeshme të pagave, duke argumentuar se inflacioni ka arritur tashmë në 5.3% dhe se një rritje prej 5% e kostove të personelit në sektorin publik është tejet e pamjaftueshme, pasi të ardhurat reale po bien. Pakënaqësia në sektorë të ndryshëm të administratës shtetërore është tashmë e dukshme. Protestat kanë filluar me kërcënimеpër greva nga përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore, të cilët kërkuan një rritje të pagave prej 20%. Në javën që nga 24 nëntori, Konfederata e Sindikatave të Pavarura (KNSB) njoftoi përsëri veprime proteste, duke kërkuar një politikë të ardhurash që do të garantonte një rritje të pagave prej 10% në sektorin publik.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BTA, BGNES