Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Klasiku i operës bullgare Parashkev Haxhiev dhe përralla “Njëherë e një kohë”
Kryevepra të kulturës muzikore bullgare
Premte 28 Nëntor 2025 08:10
Premte, 28 Nëntor 2025, 08:10
Parashkev Haxhiev
FOTO: ubc-bg.com
Madhësia e shkronjave
Shpesh i quajtur “Verdi bullgar” ose “Puçini bullgar”, kompozitori Parashkev Haxhiev (1912–1992) prej kohësh është i njohur si klasiku i padiskutueshëm i krijimtarisë sonë operistike. Autori më produktiv i veprave muzikore-skenike ka lënë gjithsej 21 opera, gjashtë opereta, tre muzikale dhe një balet. Të gjitha ato janë vënë në skenë mbi 150 herë në teatrot e vendit, si edhe në të paktën dhjetë shtete evropiane – Rusi, Rumani, Poloni, Çeki, Gjermani, Belgjikë…
Sipas muzikologut tonë të shquar Ljubomir Sagaev, “ai është një krijues me talent, fantazi të pasur, kulturë të jashtëzakonshme dhe aftësi pune të habitshme”. Haxhiev ka një kontribut të madh në kulturën muzikore bullgare. Në bazë të operave të tij më të njohura qëndrojnë vepra të famshme të letërsisë bullgare (si “Llud Gidija” e Penço Sllavejkovit, “Allbena” e Jordan Jollkovit ose “Mjeshtrit” e Raço Stojanovit). Gjuha e tij muzikore është e qartë dhe e kapshme, veprimi skenik – intensiv dhe i gjallë, por mbi të gjitha qëndron melodika e tij karakteristike – plastike dhe shprehëse, e papërsëritshme në bukurinë dhe emocionalitetin e saj, e krijuar me një njohje të shkëlqyer të zërit njerëzor. Kjo dhunti është një aftësi që pak kompozitorë bullgarë e zotërojnë dhe i detyrohet prindërve të tij: dirigjentit të operës dhe pianist Todor Haxhiev (një nga themeluesit e Operës së Sofjes) dhe këngëtares Dojçinka Kollarova-Haxhieva (soliste kryesore e të njëjtit teatër në gjysmën e parë të shekullit të kaluar). I pyetur se kur u dashurua me operën, i biri, Parashkev, përgjigjej se ndoshta që me frymën e parë, sepse në shtëpinë e tyre muzika – kryesisht ajo operistike – dëgjohej pandërprerë, dhe ai, që fëmijë, kishte parë pothuaj të gjitha shfaqjet ku merrte pjesë e ëma. Një nga kujtimet e tij më të gjalla të fëmijërisë është nga opera “Traviata”, nën drejtimin e të atit. Kur e ëma, në rolin e Violetës, vdes në skenë, i vogli Parashkev fillon të qajë.
Prof.Parashkev Haxhiev në skenën e operës
FOTO: Arkivi personal i Ljudmilla Haxhieva
Rreth katër dekada më vonë, më 11 prill 1957, në Teatrin Muzikor të Sofjes jepet premiera e operës së tij të parë – “Njëherë e një kohë” ose “Përtej nëntë fshatrave, në të dhjetin”, me libret komik–përrallor të Pavell Spasovit. Kjo premierë vjen plot pesë vjet pas operetës së parë të Haxhievit – “Deljana”, e cila, megjithëse luhej me salla plot, u kritikua ashpër dhe u hoq nga repertori pas vetëm 12 shfaqjesh. Arsyeja nuk ishte muzika, por libreti (me autore Vera Damjanova) dhe intrigat në nivelet e larta të pushtetit. Gazeta zyrtare “Rabotniçesko dello” botoi një artikull të ashpër me titullin “Vepër e dëmshme”, ku opereta u sulmua rëndë. Ngjarja bëri që të gjithë kompozitorët bullgarë të tërhiqeshin nga zhanret muzikore–skenike, por pikërisht Parashkev Haxhiev, “i godituri”, ishte i pari që e kapërceu frikën dhe pasigurinë e krijuar. Tre vjet pas “Deljanës”, në skenën e Teatrit Muzikor vihet opereta e tij e dytë – lirike, “Ajka”, e cila fiton me meritë sukses. I nxitur nga kjo arritje, kompozitori krijon operën e tij të parë. Tërheqëse dhe e kapshme, ajo fiton popullaritet dhe gjatë dy dekadave të ardhshme vihet në skenë në të gjitha teatrot muzikorë bullgarë – në Sofje, Plovdiv, Varna, Ruse, Stara Zagora, Sliven, Burgas, Pazarxhik dhe Veliko Tërnovo. Më 30 tetor 1960 është premiera e saj në teatrin “Friedrich Wolf” (sot Landestheater Neustrelitz) në Nojshtrelitz, e realizuar tërësisht nga një ekip gjerman.
FOTO: parashkevhadjiev.eu
“Njëherë e një kohë” rrëfen historinë e Kalinës së bukur, që kërkohet për grua nga Radojko, i cili jeton “përtej nëntë fshatrave, në të dhjetin”. I ati është dakord, por e ëma është kundër dhe e përbeton të bijën të heshtë para të gjithëve, madje edhe para burrit të saj – plot nëntë vjet. Pas dasmës, Radojko, i cili e do shumë gruan e vet, përpiqet më kot ta “shërojë” me ndihmën e mjekëve popullorë, të falltareve dhe madje edhe me një ritual fantastik cigan.
Mezi në aktin e katërt në fshat mbërrin dyshja legjendare folklorike – Hitër Petër (Pjetri Dinak) dhe Nasradin Hoxha. Të dy vënë bast se kush do ta zgjidhë problemin e Kalinës “memecë” dhe, pasi hoxha nuk ia del mbanë me magjitë e tij, Hitër Petër thotë se mënyra e vetme është që Radojko të marrë një grua tjetër. Dredhaku zgjedh një nga vajzat e fshatit dhe pikërisht atëherë, e tmerruar se do ta humbasë të dashurin e saj, Kalina harron betimin dhe fillon të flasë. Në arien nga finali i aktit të dytë, gruaja e re e mjerë shpreh dhimbjen e saj. Ajo nuk ka nevojë për hoxha dhe mjekë popullorë: “Kalina dëshiron të flasë”, por është e lidhur me betimin e nënës. Aria është një “tour de force” i jashtëzakonshëm i kompozitorit, i cili njeh mundësitë e sopranos koloraturore deri në përsosmëri.
Pllaka përkujtimore e Prof. Parashkev Haxhiev në shtëpinë e tij në Sofje
FOTO: wikiwand.com
Melodia e bukur, e pasuruar me frymën e folklorit bullgar, ndërtimi mjeshtëror, orkestrimi atraktiv dhe pasazhet virtuoze efektive e bëjnë arien e Kalinës në një shfaqje të preferuar koncerti për shumë soprano bullgare. Interpretimi më bindës deri më tani është ai i solistes së shquar të Operës së Sofjes, Elena Stojanova, me Orkestrën Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare dhe dirigjentin Rusllan Rajçev regjistruar në vitin 1988.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: ubc-bg.com, Arkivi personal i Ljudmilla Haxhieva, Facebook/Parashkev Hadjiev, wikiwand.com
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova